Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, e cila shënohet sot në mbarë botën, e gjen Kosovën në nivelin më të ulët të respektimit të të drejtave të njeriut, thonë përfaqësues të organizatave që merren me këto çështje.
Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë, thotë se respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut vazhdon të mbetet çështje sfiduese për autoritetet në vend.
“Sa i përket të drejtave të njeriut, Kosova qëndron ashtu siç qëndron edhe shteti, një shtet, i cili nuk ka një bazë të fortë materiale, një shtet i cili nuk ka mundësi t’i ofrojë qytetarëve një shëndetësi të mirë, një arsim të mirë, një vend pune, një mirëqenie për fëmijët. Një shtet që nuk ka mundësi të ofrojë projekte zhvillimore, e ka problem të jetë garantues i të drejtave të njeriut”, thekson Shala.
Sipas tij, shkelje të të drejtave të njeriut ka gati në të gjitha fushat në Kosovë dhe autoritetet e vendit janë treguar të pafuqishme në garantimin e të drejtave që qytetarëve të këtij vendi.
“Të drejtat e njeriut në Kosovë shkelen duke filluar nga të drejtat e fëmijëve, e drejta e personave të moshuar, e drejta e personave me aftësi të kufizuar, e drejtave e personave me liri të privuar, e drejta për drejtësi, e drejta për një vend pune, të drejtat e femrave për trashëgimi ”, thekson Shala.
Shala konsideron se të drejtat e qytetarëve të Kosovës po shkelen edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë në këtë rast, siç thotë ai, nga Bashkimi Evropian, për shkak të mohimit të së drejtës së lëvizjes së lirë pa viza, njofton rel.
“E drejta e lirisë së lëvizjes është e drejtë elementare, e cila po i mohohet Kosovës pikërisht nga Bashkimi Evropian, vetëm Kosovën e ka lënë në një tunel pa dalje”, thotë Shala.