Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka reaguar ndaj suspendimit të zyrtarëve të Shërbimi Korrektues i Kosovës nga Ministrisa e Drejtësisë, pas dezinformimit të publikut se ndaj tyre ishte ngritur aktakuzë ndonëse rasti ishte ende në hetim nga Prokuroria, lidhur me arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja.
Sipas komunikatës së këtij këshilli, Ministria e Drejtësisë që me automatizëm i suspendoi nga puna duke mos e sqaruar rastin deri në fund, duhet tu kërkoj falje atyre , “që u është paragjykuar fajësia, pa përfundimin e hetimeve dhe ta tërheqë vendimin për suspendim nga puna”.
“KMDLNj kërkon që të ndërmerren masa ndaj atyre që e kanë bërë këtë lëshim, që e kanë dezinformuar opinionin, që i kanë damkosur zyrtarët fajësia e të cilëve deri më tani nuk është provuar e cila e ulë reputacionin dhe besueshmërinë në këtë Ministri, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.
Ministria e Drejtësisë të mërkurën kishte lëshuar një komunikatë përmes së cilën njoftonte se ishte ngritur aktakuzë ndaj dhjetë zyrtarëve e ish-zyrtarëve të lartë në Qendrën Korrektuese dhe mjekëve në QKUK-ë, në mesin e tyre edhe Ish-drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi.