Policia e Kosovës e ka ndaluar sot Dibran Hoxhajn, i njohur me pseudonimin “Kobra” si të dyshuarin kryesor për vrasjen e 31 vjeçarit nga Kukësi, Visart Cengu, dhe plagosjen e Rufgen Shehu. Ndërsa avokati i ti Nexhat Elshani ka folur për Gazetën Insajderi ai tha se “Kobra” është i pafajshëm.
Hoxhaj është emër i njohur për policinë dhe i dyshuari kryesor për vrasjen e 31 vjeçarit nga Kukësi. Avokati i tij Elshani tha se ai pritet që të dërgohet në paraburgim.
“Sapo ka përfunduar seanca Hoxhaj është dërguar në mbajtje. Nesër prokuroria besoj që procedon propozimin për paraburgim”, tha Elshani për Insajderin.
Sipas tij Kobra u mbrojt në heshtje. I pyetur se a është fajtor “Kobra” për vrasjen ai tha se përderisa ai nuk pranon fajësinë edhe avokati mendon njëjt si ai që është i pafajshëm.
Tre kuksianët siç raportohet në media janë konfliktuar fizikisht me Dibran Hoxhaj.
Më pas sherri ka eskaluar deri në përdorimin e armëve. Teksa tre kuksianët po largoheshin me makinë janë qëlluar me arme. Plumbat kanë prekur dy prej tyre dhe më pas ata janë nisur drejt spitalit të Kukësit, por Cengu fatkeqësisht ndërroi jetë rrugës.
27-vjeçari, pas ndihmës së parë mjekësore në urgjencën e spitalit të Kukësit është transportuar në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
Kush është Dibran Hoxhaj?
Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” është emër i njohur për policinë.
Lëndime të rënda e të lehta trupore, armëmbajtje pa leje, kanosje, dëmtim të pasurisë së huaj, janë disa nga veprat penale, për të cilat Dibran Hoxhaj apo i njohur ndryshe me pseudonimin “Kobra”, është dënuar plot 16 herë.
Ai në shtator 2022 ishte dorëzuar në polici pas tre ditësh që ishte në kërkim.
Kobra e kishte sulmuar fizikisht një person dhe i kishte shkaktuar lëndime trupore.
Rasti kishte ndodhur në një klub nate. Viktima ishte i dehur dhe shkak i përleshjes ishin problemet e mëhershme mes tyre.
Aktgjykimet në fjalë janë shpallur gjatë periudhës kohore 2007 – 2021.
Madje, nga Gjykata Themelore në Prizren, bëjnë të ditur se i njëjti ka ende aktive një lëndë, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 153, par. 2 të Kodit Penal.
Nga 16 aktgjykimet e siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, Hoxhaj është dënuar me gjobë në 12 aktgjykimet e plotfuqishme, kurse në katër aktgjykimet tjera është dënuar me dënim me kusht.
Në aktgjykimin e 26 qershorit 2009, “Kobra” ishte dënuar me 1 mijë euro gjobë për mbajtje të paautorizuar të armëve. Për të njëjtën vepër penale, ishte dënuar dy herë edhe në vitin 2012. Në aktgjykimin e 23 tetorit, ishte dënuar me 800 euro gjobë, kurse me 850 euro gjobë ishte ndëshkuar në aktgjykimin e po të njëjtës datë.
Për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, pronari i “Cobra City” është dënuar gjashtë herë.
Me aktgjykimin e marrë më 15 maj 2013, i njëjti ishte dënuar me 250 euro gjobë. Më 23 mars 2015 ishte dënuar me 3 muaj burgim me kusht. Edhe në vitin 2016, në aktgjykimin e 3 majit ishte dënuar me 1 mijë e 600 euro gjobë.
Për lëndim të lehtë trupor, ai ishte dënuar dy herë edhe në vitin 2018, më 13 gusht dënimi për të ishte 200 euro, kurse më 10 dhjetor ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë. Ndërsa, më 4 maj të vitit 2020, u dënua me 1 mijë euro gjobë për ketë vepër.
Ndërsa, për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, i njëjti ishte ndëshkuar dy herë. Fillimisht, më 27 nëntor 2012 ishte dënuar vetëm me 200 euro gjobë, kurse më 2021, në aktgjykimin e plotfuqishëm të 19 shkurtit, ishte dënuar me 2 mijë e 340 euro gjobë.
Gjashtë muaj burgim me kusht ishte dënuar më 16 nëntor 2007 për pjesëmarrje në rrahje.
Kurse, për “Kanosje”, “Kobra” u dënua me 140 euro gjobë, aktgjykim i cili u shpall më 13 gusht 2016.
Më 7 tetor 2014, Hoxhaj doli sërish para gjykatës për veprën penale “Dëmtimi i pasurisë së huaj të luajtshme”, ku ishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë.