Qëndrime të shumta të Lëvizjes Vetëvendosje sapo erdhi në pushtet kanë ndryshuar. Së fundmi, Qeveria Kurti mori një vendim skandaloz. U ndaloi pagat e benefitet tjera shërbyeseve të sektorit publik për shkak se kanë hyrë në grevë, shkruan Insajderi.
Por ndryshe u shprehte sa ishte në opozitë. Lëvizja Vetëvendosje akuzonte Qeverinë e Kosovës se është fajtore që SBASHK-u ka hyrë në grevë.
Atëkohë deputetja Arbërie Nagavci tani ministre e Arsimit, thoshte se Qeveria dhe Ministria e Arsimit nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e SBASHK-ut.
Ndërkohë ditë më parë ironizoi me kërkesat e SBASHK-ut duke thënë se janë të pa arsyeshme, e që koha është për punë.
“Nuk është sjell në votim të dytë projektligji për pagat dhe është e qartë se vet koalicioni qeverisës e ka vonuar këtë ligj. Qeveria e cila falë me dhjetëra miliona euro, që e stërmbush qeverinë me këshilltar nuk merret aspak me zgjidhjen e këtyre problemeve. Është e papranueshme që projektligji për pagat parasheh rritje për presidentin kryeministrin dhe jo edhe për mësimdhënësit”, deklaronte ajo.
Në të kaluarën edhe deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu i doli në përkrahje të Sindikatës së Arsimit për të hyrë në grevë. Sipas saj greva ishte e kuptueshme pasi numri i ministrave, zëvendësministrave, këshilltarëve nuk ka tavan dhe paga e tyre është shumë fish më e lartë se e punëtorëve të shëndetësisë dhe arsimit.
Sot qeveria ku pjesë e saj është edhe ajo po vepron ndryshe.
Ministria e Financave ka vendosur që grevistet të pezullohen nga puna dhe t’iu ndalohen benefitet tjera, përgjatë kohës sa janë pjesë e grevës. Pretendojnë se kanë të drejtë që ta bëjnë këtë. Bazohen në nenin 18 të Ligjit për Greva, shkruan Insajderi.
Pas fillimit të grevës së përgjithshme në sektorin publik Ministria e Financave ka kërkuar nga BSPK-ja listën e personave që po marrin pjesën në grevë për t’ua ndalur pagën.
Në një emali të drejtuar Ali Sefajt, anëtarit të këshillit Grevist dhe Përfaqësues i Shoqatave Sindikale të nivelit qendror, ministria ka kërkuar sipas nenit 18 që të kenë një listë të personave që janë në greve për t’i pezulluar nga puna dhe tu ndalen benefitet.
Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zv.sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu.
“Po është kërkesë ligjore është neni 18 i Ligjit për Greva, paragrafi 1, i cila kërkon që persona që janë në grevë tu pezullohen paga dhe përgjegjësia nga puna. Neni 18 i Ligjit për Greva kërkon pezullimin e kontratës së punë dhe të mos këtë përgjegjësi me punu po ashtu edhe të mos paguhet, vetëm për këtë arsyeje e kemi dërguar emalin”, tha Spahiu per Insajderin.
Tutje, zv.sekretari tregoi se ministria nuk ka qenë e njoftuar për grevë më herët dhe se sot ishin njoftuar.
“Sot e kemi marrë njoftimin për grevë nuk kemi pas më herët njoftim. I kemi shkruar sindikatave dhe i kemi garantuar që nuk e pengojmë grevën vetëm proceduralisht na duhet me ditë kush është në grevë, prej kujt mundemi të kërkojmë punë dhe prej kujt jo. Ne kemi pranuar sot email prej Ali Sefaj dhe ati i kemi kthyer emailin duke i treguar se administrativisht duhet zhvilluar disa procedura pa e penguar procesin e grevës”, tha Spahiu për Insajderi.
Këtë kërkesë të ministrisë së Financave po e cilëson skandaloze kreu i Grevistëve të BSPK-së, njëherit kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj derisa paralajmëroi se mund të ketë situata të rënduara.
Ai tha për Insajderin se sipas ligjit për greva nuk mund të merren masa ndëshkuese ndaj grevistëve.
“Urojë të jetë dezinformatë. Por nëse është e vërtetë është një hap tejet i gabuar dhe skandaloz qoftë i ministrit Murati qoftë i Qeverisë Kurti, greva jonë është legjitime e paraparë edhe me ligjin për grevë, duhet ta lexojnë këtë ligj. Dhe aty thuhet se në grevën legjitime s’mund të merret asnjë masë ndëshkuese, me largim nga puna apo ndonjë ndëshkim tjetër material“, tha Jasharaj për Insajderin.
“Me kërcënime të tilla Kurti do të krijojë një situatë të rënduar, të acaruar dhe nuk besoj që do të jetë dëshirë e tyre aspak”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ky vendim do t’i zprapsë, Jasharaj u shprehë i bindur që jo.
“Nuk do të zprapsemi, sepse jemi të sigurte që qeveria nuk do ta bëjë këtë hap sepse nëse e bën këtë hap në kohën kur ne po luftojmë edhe për një kafshatë të gojës, të na ndalet e tërë kafshata e tërë buka kam frikë se pastaj me apo pa qëllim qeveria do të krijojë një situatë tepër të rënduar, të esklauar dhe pastaj njerëzit me bark të uritur nuk mund të mendojnë qartë”, deklaroi ai.
“Ne këtë grevë po e bëjmë nga zori, e kemi lutur qeverinë në të gjitha mënyrat”.
/GazetaInsajderi