×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    “Kohërat e arta të ryshfetit në Ministrinë e Bujqësisë” – skema se si funksiononte grupi i rrezikshëm kriminal

    Insajderi
    07 January 2022 - 16:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Më 24 shkurt, Policia e Kosovës nisi aksionin më të madh të realizuar ndonjëherë për keqpërdorime në Ministrinë e Bujqësisë. Aksioni “Subvencionet në bujqësi” përfundoi në fillim të dhjetorit ku rezultoi me 64 të arrestuar, shumica prej tyre zyrtarë të lartë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Luan Statovci, drejtor i Departamentit të Pagesave direkte në AZHB, është personi arrestimi i të cilit bëri më së shumti bujë. Në shtëpinë e tij u gjetën rreth 400 mijë euro.

    Gjatë vitit të kaluar hetuesit e Policisë së Kosovës zhvilluan operacionin e koduar me emrin “Subvencioni 2021” ku cak ishin zyrtarët e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. Të arrestuarit nga ky operacion dyshohet se bënë dallavere të mëdha me listat e përfituesve të subvencioneve ku nga ryshfeti përfituan shuma të majme të parave.

    Për 20 të dyshuarit që ndodhën në paraburgim dhe për tetë të tjerë që ndodhën nën masën e arrestit shtëpiak, avokatët mbrojtës kanë kërkuar lirimin e tyre. Mirëpo, Gjykata e Apelit e Kosovës përmes një aktvendimi të lëshuar më datën 13 dhjetor 2021 ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve në rastin e njohur si “Subvencioni 2021”, ndërsa ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 24 nëntor 2021.

    Gazeta Insajderi ka siguruar vendimin e Apelit ku të pandehurve Luan Statovci, Salih Statovci, Sadat Shkodra, Hasan Maxharaj, Berat Nika, Kushtrim Zogaj e 14 të tjerëve iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje për dy muaj. Ndërsa, tetë të tjerëve iu ka vazhduar masa e arrestit shtëpiak, po ashtu në kohëzgjatje prej dy muaj.

    Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e ankimuar ka detyruar të pandehurit e lartë cekur që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe nuk guxojnë të largohen nga vendbanimi i tyre, përveç rasteve të nevojës së domosdoshme dhe atë me lejen e gjykatës.

    Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, pretendimet ankimore janë të pabazuara ndërsa gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë me rastin e vazhdimit të masës së paraburgimit dhe masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve. E njëjta gjykatë ka pas parasysh provat dhe argumentet që janë paraqitur në aktvendim.

    Po ashtu, janë hedhur poshtë pretendimet e mbrojtjes se nuk ekzistojnë kushtet dhe arsyet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.

    “Këto pretendime janë të pabazuara sepse të njëjtit po të gjenden në liri rrethanat e rastit tregojnë rrezik se do të mund të fshihen apo të ikin me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, do të mund të ndikojnë në asgjësimin, fshehjen e provave të cilat pritet të sigurohen në vazhdim të hetimit dhe ndikimit në dëshmitarët aktual dhe të mundshëm të Prokurorisë të cilët kanë pasur pengesa në përfitimin e subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë e të cilat përveç provave të siguruara me masa të fshehta janë prova vendimtare për këtë çështje penale”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

    Videot që dëshmojnë se si funksiononte skema korruptive

    Vendimi i Apelit tregon se prokuroria ka siguruar prova të bollshme që dëshmojnë korruptimin e zyrtarëve të shtetit. Aty ceket se ekzistojnë edhe video dëshmi.

    Sipas vendimit të Apelit, e pandehura Adushe Ukshini shihet duke i sjellë para drejtorit Luan Statovci të cilat i ndajnë mes vete.

    Për Sedat Shkodrën thuhet se ekzistojnë video ku shihet teksa ka pranuar shuma të ndryshme të parave-ryshfet nga persona të ndryshëm në mënyrë që të njëjtit t’i fusë në listën e përfituesve.

    Po ashtu, bazuar në këtë vendim Hasan Maxharaj ka pranuar shuma të ndryshme të parave-ryshfet nga persona të ndryshëm në mënyrë që të njëjtit t’i fusë në listën e përfituesve të subvencioneve përkatësisht drejtorit Luan Statovci nga aplikimi i masave të fshehta ku i njëjti në disa raste i thotë Luanit se i ka sjellë shuma të parave në vlera të ndryshme deri në 12 mijë euro.

    Për Kushtrim Zogajn ekzistojnë dëshmi se duke shfrytëzuar pozitën zyrtare në AZHB ka vepruar në mënyrë të kundërligjshme për përfitim material, duke pranuar shuma të ndryshme të parave-ryshfet nga persona të ndryshëm në mënyrë që të njëjtit t’i fus në listën e përfituesve.

    Sipas vendimit, Kastriote Bajrami-Sejdiu dyshohet se iu ka dhënë ryshfet zyrtarëve të tjerë të AZHB-së. Gjatë masave të fshehta ajo  shihet duke biseduar me drejtorin Luan Statovci dhe Sedat Shkodren ku zhvillohet një bisedë e gjatë dhe negociohet rreth shumës së parave. Fillimisht Sedati në prani të drejtorit Luan Statovci i kërkon Kastriotes shumën prej 2 mijë euro dhe pas negociatave dakordohet që puna të kryhet për shumë 1 mijë euro.

    Aktvendimi tregon se si Pajtim Krasniqi i ka ofruar dhe dhënë ryshfet zyrtarëve tjerë të AZHB-së që ta fusin në listën e përfituesve për subvencione atë dhe vëllain e tij Shpejtim Krasniqi. Kjo gjë që vërtetohet me aplikimin e masave të fshehta, ku shihet Berat Nika në dy raste duke i sjellë shumën e parave prej 5 mijë dhe 2 mijë euro Luan Statovcit, të cilat i ndajnë përgjysmë, shkruan Insajderi.

    Po ashtu, Driton Alaj i ka ofruar ryshfet zyrtarëve tjerë të AZHB-së që ta fusin në listën e përfituesve për subvencione. I njëjti ka përfituar shumën prej 100 mijë euro si dhe e kanë hequr nga lista e zezë pa vendim me shkrim.

    “Salih Statovci gjatë një komunikimi me vëllain e tij kuptohet se bashkëpunon dhe dyshohet se është zbatues i veprimeve të kundërligjshme në kontakt me persona të tjerë dhe gjatë kontrollit të shtëpisë së tij janë sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me veprën penale. Përkatësisht shuma e parave në vlerë prej 46 mijë euro, 600 dollare, 200 franga zvicerane, 275 lira turke, një telefon dhe vetura Toyota. Paratë është përpjekur t’i fsheh nga policia e Kosovës si dhe ka falsifikuar nënshkrimet e personit Bajram Syla, kinse i njëjti me dt.01.04.2020 ka nënshkruar kontratën me Arjeta Mustafa për shitblerje e pastaj me këtë kontratë dhe të tjera kontrata në të cilat i pandehuri Sali Statovci si përfaqësues i Kompanisë “Eco Fruits” SHPK ka përfituar kontratë për financimin e projekteve investuese të zhvillimit rural nr. 13/2021 dt. 01.02.2021 në vlerë totale të projektit të financimit prej 398 mijë e 810 euro. Mirëpo, pagesat nga AZHB ende nuk janë ekzekutuar dhe sa i përket të pandehurit Alban Bushati ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka lejuar veprat penale për të cilat dyshohet nga Prokuroria”, thuhet tutje në aktvendim.

    Për shkak të këtyre provave, Gjykata e Apelit, vlerëson se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë me rastin e vazhdimit të masës së paraburgimit dhe masës së arrestit shtëpiak ndaj te pandehurve sepse nga rrethanat e rastit ekziston rreziku se nëse të pandehurit gjenden në liri ata mund të ikin ose të arratisen.

    Në fund, Apeli thekson se vazhdimi i masës së paraburgimit dhe i masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve të lartcekur është i nevojshëm me qëllim të sigurimit të pranisë së tyre në procedurën penale dhe me qëllim të zhvillimit normal të procedurës. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark