×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Komandantët kanë të drejtë për gjithçka – të kryejnë krime dhe të vjedhin për t’u mbrojtur

    Insajderi
    16 July 2019 - 13:23

    Kujt mund t’i ketë shkuar mendja që edhe në procesin hetimor për krime shumë të rënda do të vidhen kaq shumë para?

    Natyrisht, kurrkujt tjetër pos të dyshuarve për këto krime – komandantëve të luftës.

    Të hënën, Insajderi zbuloi se si në mënyrë të kundërligjshme po paguhen disa të dyshuar të Hagës – komandantë në pushtet apo të lidhur me pushtetin. Fondi prej 1.5 milionë euro tashmë thuajse është harxhuar në mënyrë krejtësisht të fshehtë.

    70 mijë euro janë ndarë për katër të dyshuar: Sami Lushtakun, Sylejman Selimin, Lahi Ibrahimajn dhe Mahir Hasanin. Ky fond i ndarë është bërë nga Qeveria në mënyrë të fshehtë. Vendimet nuk janë publike, pra janë krejtësisht të fshehta.

    Ndërkohë, shteti po planifikon të shpenzojë 10 milion euro deri në vitin 2022 për këtë proces.

    Muhamet Krasniqi – Petriti, është një tjetër i dyshuar i Hagës. Ai, obligohet që më 23 korrik të këtij viti të paraqitet para prokurorëve të Hagës, lidhur me dyshimet se është i përfshirë, apo ka dijeni për krime lufte të kryera në disa kampe të UÇK-së, në Shqipëri.

    Por, Petriti nuk ka fuqi politike. Nuk është përmendur për ndonjë hajni. Nuk i ka milionat. Nuk e ka qenë kryetar komune. Nuk ka qenë ambasador. Nuk ka lidhje familjare me vendimmarrësit. Thjeshtë, është një i dyshuar që obligohet të shkojë në Hagë, të cilin shteti nuk ia paguan asnjë centë me arsyetimin se këtë nuk e lejon ligji.

    “Pasi të ngritët aktakuza më kanë thënë se mund të ndihmojmë”, i tha të hënën Krasniqi, Insajderit. “Në momentin që ngritët aktakuza nuk më duhet as avokat as asgjë, mua më duhet për procesin e hetimeve sa është tash”, ia kishte kthyer ai një zyrtareje që punon në zyrën e udhëhequr, nga Driton Lajçi, një eksponent i PDK-së në pushtet.

    Lajçi, kohë të gjatë këshilltar ministrash të Drejtësisë, po menaxhon fondet për të dyshuarit e Hagës. Përveç menaxhimit të tyre është po luan rolin e avokatit të të dyshuarve, ndonëse është zyrtar shtetëror.

    Udhëtoi në Hagë së bashku me Sami Lushtakun, ku qëndroi në një hotel që jo gjithkujt ia mbanë xhepi të bëjë gjumë aty. Këtë e bëri me fondet e taksapaguesve kosovarë.

    Ligjit për mbrojtjen juridike dhe financiare të të dyshuarve të Hagës, ka përcaktuar qartë se me fondet publike nuk mund të kryhet asnjë pagesë, derisa të ngritën aktakuzat. Në kundërshtim me këtë ligj, fondet janë ndarë dhe po ndahen.

    Lajçi, dhe të tjerët që kanë punuar në këtë proces të krijimit të kësaj Gjykate me seli në Hagë, e dinë se edhe nëse nuk paguhen shpenzimet në këtë fazë, të dyshuarve u garantohet mbrojtje ligjore.

    Këtë e ka rregulluar Gjykata e Hagës e cila është e obliguar që të dyshuarve t’u caktojë avokatë sipas detyrës zyrtare. Tarifa për këtë është 100 euro për orë.

    Pse gjithë këto para për të dyshuarit e fuqishëm? Pse Qeveria ndau për Lahi Ibrahimajn 40 mijë euro, ndërsa për Lushtakun, Selimin e Hasanin vetëm 30 mijë?

    Marrja në pyetje e asnjërit prej të dyshuarve nuk ka zgjatur më shumë se dy ditë, pos Lushtakut që zgjodhi të mbrohej në heshtje.

    Për dy ditë marrje në pyetje, pagesa do të shkonte 1600 euro, e jo 10 mijë, 30 mijë apo 40 mijë euro. Edhe nëse do të hiqeshin të gjitha shpenzimet, përfshirë udhëtimin, ushqimin e akomodimin, atëherë shpenzimet e të dyshuarve nuk do të kalonin tre mijë euro.

    Këto argumente tregojnë se paratë po ndahen në mënyrë të kundërligjshme dhe po keqpërdorën nga të dyshuarit dhe shteti.

    Pos këtyre shkeljeve, shteti si në asnjë rast tjetër është bërë palë në procedurën penale të Hagës, duke vënë të gjitha resurset njerëzore e financiare kundër Gjykatës. Ministria e Drejtësisë, e cila do të duhet të përfaqësonte të drejtat e viktimave, është vënë në krah të të dyshuarve kundër viktimave dhe vetë gjykatës.

    Tashmë dy firma, përfshirë avokatin Geoffrey Nice, po i paguan “për këshillim ligjor në formulimin, zhvillimin dhe prezantimin e pozitës juridike të Republikës së Kosovës pranë Dhomave të Specializuara.

    Për çfarë prezantimi bëhet fjalë këtu, derisa kjo Gjykatë është e Kosovës me bazë në Kushtetutën e Republikës? Marifete të tilla nuk janë parë e dëgjuar kurrkund në histori.

    Procesi i deritashëm po tregon se komandantët janë mbi gjithçka. Mbi ligjin. Mbi gjykatën. Mbi viktimat. Kjo po tregon po ashtu se komandantët kanë përgjegjësi edhe mbi krimet e kryera kundër popullatës civile, shqiptare e jo shqiptare.

    Kjo po tregon se ata po ndjehen fajtorë. Në të kundërtën nuk do të veprohej kështu./Insajderi.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark