Komandanti i KFOR flet prerazi: Pa lejën time, FSK-ja nuk mund të shkojë në Veri - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Komandanti i KFOR flet prerazi: Pa lejën time, FSK-ja nuk mund të shkojë në Veri

    Insajderi
    31 October 2021 - 13:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneral majori Ferenc Kajari, ka thënë se vendosja e forcave të FSK-së në veri të Kosovës nuk mund të bëhet pa miratimin e tij.

    Kajari ka shtuar po ashtu se e ka ditur se detyra që po e merr është komplekse, por qysh në fillim është përballë me sfida të ndryshme.

    “Situata aktuale është përgjithësisht e qëndrueshme dhe KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij në baza ditore – mandat që rrjedh nga Rezoluta 1244 e vitit 1999 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – për të kontribuuar në një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë për të gjitha komunitetet që jetojnë atje”, ka thënë Kajari në një intervistë për “Kosovo Online”.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas një marrëveshje të mëparshme, duhet të autorizohet nga komandanti i KFOR-it para çdo dislokimi në veri të Kosovës. Policia e Kosovës mund të lëvizë lirshëm në mbarë Kosovën. NATO pret që institucionet vendase të vazhdojnë t’u përmbahen marrëveshjeve. Në javët e para jam takuar me krerët e institucioneve në Kosovë, të cilët më kanë siguruar se para çdo veprimi, do të ketë koordinim të duhur me Kosovën dhe vendosja e FSK-së në veri të Kosovës do të vazhdojë të bazohet në njoftimin dhe miratimin paraprak nga komandanti i KFOR-it”.

    I pyetur për deklarimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se autoritetet e Kosovës po planifikojnë një aksion tjetër në veri, Kajari ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë dhe se po e monitorojnë nga afër situatën dhe janë të përkushtuar në zbatimin e mandatit që kanë.

    Gjenerali hungarez ka folur edhe për patrullimet e përbashkëta me Ushtrinë e Serbisë.

    “KFOR-i ka një bashkëpunim të gjatë dhe të shkëlqyer me Ushtrinë e Serbisë, në të gjitha nivelet e përgjegjësisë. KFOR-i do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Ushtrinë Serbe dhe me organizatat e sigurisë së Kosovës, për të garantuar sigurinë në mbarë Kosovën. Patrullimet e sinkronizuara me ushtrinë serbe do të vazhdojnë përgjatë kufirit administrativ”, ka thënë Kajari.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark