Komandanti i misionit të KFOR-it, gjenerali Oskan Ulutaş, ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë për momentin, por njëkohësisht e ndjeshme dhe e ekspozuar ndaj përshkallëzimit të shpejtë të tensioneve.
Duke iu referuar ngjarjeve të dhunshme të vitit 2023, gjenerali Ulutaş rikujtoi se NATO-ja reagoi duke dislokuar deri në 1 mijë trupa shtesë, çka përbën përforcimin më të madh të KFOR-it në dekadën e fundit.
Aktualisht, misioni numëron mbi 5 mijë ushtarë dhe, sipas tij, mbetet në gjendje të lartë gatishmërie për të vepruar shpejt, në mënyrë profesionale dhe të paanshme.
Vendosja e përkohshme e forcave shtesë në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe pranë manastirit të Deçanit, sipas Ulutaş, është pjesë e procedurave të rregullta për testimin operacional dhe ruajtjen e standardeve të larta të sigurisë.
Në fund, komandanti i KFOR-it nënvizoi bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë UNMIK-un dhe trupin diplomatik, duke theksuar se ky koordinim bëhet në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.