Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ia ka frikën Virusit Zika - Insajderi
×
  • Lajme
  • Sport
  • Lajme

    Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ia ka frikën Virusit Zika

    Insajderi
    10 February 2016 - 22:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Virusi Zika është duke u bërë një nga temat më të komentuara edhe më shumë për shkak të përhapjes së tij në Brazil, atje ku gjatë verës do të mbahen Lojërat Olimpike Rio 2016.

    Madje përhapja e këtij virusi, ka shtyrë së fundmi edhe Komitetin Olimpik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të tërheq vëmendjen e atletëve amerikan për këtë virus. Komiteti amerikan u ka rekomanduar atletëve “që të vendosin vet nëse duan të shkojnë në Rio apo jo”.

    Por për Komitetin Olimpik të Kosovës, ky virus nuk përbën ndonjë rrezik. Kosova për herë të parë në histori, merr sivjet pjesë si shtet në Lojërat Olimpike në Rio de Janerio.

    kelmendi

    Për kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, nuk është e nevojshme që të ketë ndonjë sugjerim për atletët tanë. Hasani thotë se Komiteti Olimpik nuk ka ndonjë qëndrim të veçantë në lidhje me rrezikun e shfaqur nga Virusi Zika.

    “Komiteti Olimpik Ndërkombëtar na ka lajmëruar se me vëmendje i përcjellin masat dhe luftën qe e zhvillon Brazili ndaj virusit Zika. Jam në Lozanë me përfaqësues të mbi 50 Komiteteve Olimpike dhe askush nuk e ka marrë me shqetësim”, tha Hasani për Insajderin.

    Sipas tij deri në Lojëra Olimpike “Rio 2016” që mbahen nga 5 deri më 21 gusht të këtij viti, ka mjaft kohë që Komiteti ta analizoj situatën dhe të dalë me një qëndrim.

    “Deri atëherë duhet ti lëmë të qetë sportistët të punojnë dhe të jenë të koncentruar 100 për qind”, ka thënë Hasani për Insajderin.

    besimhasani

    Virusi Zika shkaktohet nga një lloj i mushkonjës që sipas Ministrisë së Shëndetësisë nuk ekziston në Kosovë.

    Virusi ka qarkulluar në Afrikë dhe Azi për dekada të tëra, dhe së voni në rajonin e Paqësorit, derisa asnjëherë nuk ka shkaktuar shumë shqetësim.

    Por tani virusi po përhapet vrullshëm pasi është zbuluar rasti i parë pas shumë vitesh në Brazil, pikërisht aty ku do të mbahet Olimpiada e këtij viti.

     

     

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark