×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Kompania e vëllezërve të Haki Rugovës, të cilës dyshohet se ai i kreu favore, ka borxhe ndaj shtetit

    Insajderi
    12 October 2020 - 17:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Eros Klaiqi

    “Ma.con” Sh.P.K., pronë e Gani dhe Ismet Rugovës, ka mbi 3 mijë euro borxhe ndaj shtetit.

    Firma, e cila udhëhiqet nga vëllezërit e Haki Rugovës, kryetarit të Komunës së Istogut të arrestuar të premten nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, është në mesin e operatorëve minerar që kanë borxhe të pashlyera ndaj Komisionit për Miniera dhe Minerale (KPMM).

    Haki Rugova u arrestua të premten nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, konfliktit të interesit dhe flasifikimit të dokumenteve. Ai dyshhet se në cilësinë e kreut të Komunës i kreu favore kompanisë së vëllezërve të tij, “Ma Con” Sh.P.K..

    Gazeta Insajderi, përmes kërkesës për Qasje në Dokumente Publike, ka gjetur se “Ma Con” Sh.P.K., i ka 3 mijë e 23 euro borxhe të pashlyera në KPMM, agjencinë e pavarur që rregullon aktivitetet minerare në Kosovë.

    “Ma Con”, aksionet e së cilës – sipas të dhënave publike në Ministrinë e Tregtisë – i ndajnë Gani dhe Ismet Rugova, nuk i ka shlyer detyrimet që i përcaktohen nga KPMM-ja në formë të taksës për shfrytëzim të resurseve minerare.

    Dokumenti të cilin e ka siguruar Insajderi, dëshmon se e tërë shuma e borxhit të “Ma Con” Sh.P.K. ndaj KPMM-së është akumuluar gjatë vitit 2020.

    Ismet Rugova, njëri prej aksionarëve të kompanisë “Ma Con” Sh.P.K., ka thënë të shtunën se gurthyesi të cilin e zotërojnë ai dhe vëllai i tij, Gani Rugova, nuk ka bërë shkelje ligjore asnjëherë që prej se funksionon si firmë private.

    Në një shkrim në Facebook, Ismet Rugova ka mohuar se kompania “Ma Con” ka përfituar favore nga vëllai i tij, i cili drejton Komunën e Istogut prej vitit 2010.

    “Sa i përket gurëthyeses, për të cilën akuzohet kryetari, ne jemi në posedim dhe të licencuar që nga viti 2009. Të jeni të sigurtë se nuk është bërë as një shkelje ligjore. Nga këto që paraqita besoj se nuk e keni të vështire të konstatoni se ne nuk fshihemi pas favoreve, nepotizmit, apo korrupsionit”, ka thënë Ismet Rugova.

    Dy ditë pas arrestimit nga Policia e Kosovës, Haki Rugovës iu caktua masa e arrestit shtëpiak nga Gjykata Themelore në Pejë të dielën.

    Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, vërtetoi se ekziston dyshimi i bazuar se Haki Rugova ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet nga ana e Prokurorisë së Shtetit.

    “Po ashtu ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri mund të ndikojnë tek zyrtarët komunalë, por edhe tek dëshmitarët e tjerë në drejtim të fshehjes dhe ndryshimit të provave materiale”, tha Gjykata e Pejës, të dielën përmes një komunikate për media.

    Ndërkaq, Besnik Berisha, avokati i kryetarit Rugova, pas përfundimit të kësaj seance tha para gazetarëve se në seancën e sotme kanë dorëzuar prova të cilat tregojnë pafajësinë e kryetari të Komunës së Istogut.

    “Kemi dorëzuar prova për secilin pretendim, kemi dorëzuar prova që nuk bëhet fjalë për falsifikim, kemi dorëzuar prova që nuk bëhet fjalë për shpronësim të kundërligjshëm dhe prova të tjera”, tha Berisha, duke shtuar se gjykata është duke trajtuar pretendimet e paraqitur dhe ende nuk dihet se çfarë mase do të vendoset për kryetarin Rugova.

    Haki Rugova është nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Në një konferencë për media të mbajtur të dielën, kreu i LDK-së, Isa Mustafa tha se nëse procesi gjyqësor ndaj Rugovës zvarritet, atëherë arrestimin e tij do ta konsiderojë si arrestim me qëllim që ta dëmtojë partinë, e cila aktualisht udhëheqë me vendin. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark