Kompanitë greke ankohen se po diskriminohen në Kosovë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kompanitë greke ankohen se po diskriminohen në Kosovë

    Insajderi
    05 April 2017 - 15:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Qeveria greke ka marrë një ankesë nga Asociacioni i Kompanive Kontraktuese të Greqisë (SATE) lidhur me siç është thënë, eliminimin e padrejtë të dy kompanive nga ky vend në një garë tenderuese në Gjakovë.

    Ankesa e këtij asociacioni i është drejtuar Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, Georgios Katrougalos, duke kërkuar intervenimin e Qeverisë në mënyrë që kompanitë greke të bëhen të pranueshme si kompanitë e të gjitha vendeve ballkanike për të fituar tender në Kosovë.

    “Në letër thuhet se në dokumentet për tenderim në këto projekte, kërkohet që ekspertiza e kërkuar duhet të jetë ekskluzivisht nga rajoni i Ballkanit, përfshirë të gjitha vendet e rajonit si dhe Turqinë, por duke lënë anash Greqinë dhe Rumaninë, një fakt që ‘paraqet paragjykim të padrejtë ndaj Greqisë dhe ndërmarrjeve greke’”, shkruan mediumi grek multi-news.gr.

    Multi News njofton se bëhet fjalë për dy projekte në të cilat kompanitë greke kanë dëshiruar të marrin pjesë në Komunën e Gjakovës: një për rrjetin e kanalizimit në Gjakovë si dhe për trajtimin e humbjeve të ujit.

    Tutje, SATE shkruan se një nga arsyet për krijimin e një situate të tillë vije për shkak të dobësimit të sistemit bankar të Greqisë, porse përjashtimi i Greqisë nga vendet e Ballkanit sjell përjashtim të padrejtë të kompanive teknike greke.

    “Këto kompani, për shkak të situatës ekonomike në Greqi, janë aktive kryesisht brenda vendit, ndërsa kanë mundësi të kufizuara për të marrë ekspertizë teknike në vendet tjera”, thuhet në letrën e SATE, raporton mediumi grek.

    “Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se kompanitë kanë mungesë të njohurive dhe kapacitete teknike për të ekzekutuar në mënyrë efikase projektet teknike, dhe kjo është demonstruar nga përfundimi me sukses i shumë projekteve infrastrukturore në vende të ndryshme në këto 15 vitet e fundit”.

    Në letrën e SATE-s po ashtu thuhet se Greqia është shtet që bënë pjesë në Gadishullin Ballkanik, si dhe shteti më i vjetër nga ky rajon që bëhet pjesë e BE-së, andaj eliminimi i saj nuk mund të arsyetohet./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark