Për herë të parë në Shqipëri, qytetarëve do t’u njihet e drejta për kompensim në rast dëmtimesh shëndetësore të shkaktuara nga ajri i ndotur. Kjo parashikohet në projektligjin e ri të Kuvendit të Shqipërisë për cilësinë e ajrit.
Nisma synon të rrisë transparencën dhe monitorimin e ndotjes, duke përfshirë raportim në kohë reale si dhe një përfshirje më të madhe të publikut. Këto ndryshime vijnë në kuadër të përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian dhe pritet të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së jetesës, shkruan A2CNN.
Sipas projektligjit “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, i cili është hedhur në konsultim publik, qytetarët që pësojnë probleme shëndetësore si pasojë e ndotjes së ajrit do të kenë të drejtë të kërkojnë kompensim nga shteti.