×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Komuna e Aliut favorizon multimilionerin Grainca, e lejon ta ndërtojë 11 katëshen e cila është në kundërshtim me Ligjin

    Insajderi
    04 May 2023 - 18:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Fatmir Grainca, biznesmeni multimilioner, i akuzuar për degradimin e Brezovicës, duket se ka nisur ta degradojë edhe Lagjen e Re të Ferizajt. Aty nisur ta ndërtojë një banesë 11 katëshe, me lejen e Agim Aliut, shokut të tij dhe kryetarit ferizajas.

    Kompania e “Hit Petrol” e multimilionerit Fatmir Graica është duke i terrorizuar banorët e rrugës “Gëzim Sahiti”, në Ferizaj.

    Ndërmarrja e biznesmenit ferizajas, është duke ndërtuar një banesë 11 katëshe, midis plot shtëpive, gjë që i ka shqetësuar banorët e në pjesën e njohur si “Lagjja e Re”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pamje nga punishtja e Hit Petrol | TV Tema, mars 2022

    Pikërisht për këtë çështje, sot para komunës së Ferizajt kanë protestuar banorët bashkë me organizatën joqeveritare AVONET.

    Sipas kësaj të fundit, institucioni i udhëhequr nga Agim Aliu i Partisë Demokratike të Kosovës vazhdon të nxjerr vendim për leje ndërtimore në kundërshtim me Ligjin për Planifikimin Hapësinor.

    “AVONET, në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimet e lejeve ndërtimore në Komunën e Ferizajt, e veçanërisht vendimin e lejes ndërtimore të datës 03.05.2023 në emrin e “HIT PETROLL” shpk, që sipas AVONET, ky vendim për leje ndërtimore me numër të vrojtimit të lejes 04-351/01-0022975/23 për parcelën kadastrale me numër 3342-1 ZK Ferizaj, që ndodhet në rrugën “Gëzim Sahiti” në Ferizaj me pronar: “HIT – Petroll” shpk Ferizaj me emrin e projektit: “Objekt i banimit me afarizëm me etazhitet B+P+8+PH, që sipas AVONET është në kundërshtim me Ligjin Nr.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, sepse janë ka dhënë kushtet ndërtimore me PZHK dhe me Ligjin e ndërtimit 04/L-110 neni 18, UA 06/2017″, thuhet në reagimin e AVONET, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për nisjen e këtij ndërtimi një interpretim e ka dhënë edhe Ministria e Mjedisit “ku është theksuar se “Kushtet Ndërtimore nuk mund të lëshohen duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, sepse sipas nenit 15, paragrafi 1, të Ligjit Nr.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, Plani Zhvillimor Komunal është dokument orientues strategjik, i cili nuk përcakton rregulla, kushte dhe detaje tjera të nevojshme për ndërtim/zhvillim”.

    Në këtë rast, Komuna e Ferizajt dhe zyrtarët e komunës kanë mohuar ekzistencën e Planeve Rregullative Urbane, thotë AVONET.

    “Komuna e Ferizajt, dhe në veçanti zyrtarët e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mjedis, kanë dhënë Kushtet Ndërtimore në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-174 për Planifikim Hapësinor sepse lejet ndërtimore dhe kushtet ndërtimore nuk janë dhënë siç e parasheh Ligji Nr. 04/L-174 për Planifikim Hapësinor dhe sipas Planeve Rregullative Urbane (PRRU), por me PZHK dhe me Ligjin e ndërtimit 04/L-110 neni 18, UA 06/2017 dhe për këtë, MMPHI ka dhënë përgjigjen: Kushtet Ndërtimore nuk mund të lëshohen duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, sepse sipas nenit 15, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 04/L-174 për Planifikim Hapësinor, Plani Zhvillimor Komunal është një dokument orientues strategjik, i cili nuk përcakton rregulla, kushte dhe detaje tjera të nevojshme për ndërtim/zhvillim”. Kjo është specifikuar edhe në Ligjin Nr. 04/L-110 PËR NDËRTIM, në nenin 18, paragrafin 2, për përcaktimin e kushteve ndërtimore”, thotë AVONET, shkruan Gazeta Insajderi.

    AVONET kërkon nga Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës që të fillojnë në mënyrë urgjente hetim lidhur me vendimet e lejeve ndërtimore të lëshuara nga Komuna e Ferizajt.

    Protesta para Komunës së Ferizajt | Foto: AVONET, Facebook

    Për këtë çështje, banorët edhe në marsin e vitit të kaluar e kishin bllokuar rrugën, në shenjë protestë për ndërtimin e lartë, që sipas tyre ishte u bërë në kundërshtim me ligjet dhe udhëzimet tjera të ndërtimit.

     “Ne si banor të lagjes jemi mbledh, për me shpreh pakënaqësinë tonë lidhje me ndërtimin e banesës, që po bëhet në rrugën tonë. Ndërtimi i kësaj banese nuk i ka përfillë, kushtet e udhëzimit administrativ, për normat teknike të planifikimit hapësinor. Lejimi i ndërtimit të kësaj ndërtese në kushte të tilla e vështirëson jetën tonë dhe e rrezikon jetën e banorëve në lagjen tonë”, pati thënë banori Valdet Haxhimusa, për televizionin Tema në mars të vitit të kaluar, transmeton Gazeta Insajderi.

    “Nuk është marrë për baze lartësia e ndërtesë, vetë ndërtimi i kësaj banese rreth shtëpive të banimit është një kriter i mjaftueshëm që nuk duhet me u leju një ndërtese 11 katëshe. Nuk e di pse e kanë leju”, thoshte tutje Haxhimusa.

    Pamje nga protesta kundër Hit Petrol | TV Tema, mars 2022

    Ndaj këtij ndërtimi banorët e rrugës “Gëzim Sahiti”, kishin bërë edhe një peticion, qysh kur ishte dhënë pëlqimi për ndërtimin e 11-të katëshes, por asnjëherë nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga komuna.

    Peticioni kundër ndërtesës 11-të katëshe

    Komuna nga e cila qytetarët nuk kanë marrë përgjigje, ka për kryetar Agim Aliun i cili me Fatmir Graincën duket se tashmë nuk kanë vetëm raporte pune, por edhe miqësore.

    Të dy janë parë shpesh në ngjarje jozyrtare, madje edhe janë fotografuar bashkë. Një nga këto shkrepje e ka siguruar Gazeta Insajderi.

    Fatmir Graica dhe Agim Aliu

    Grainca ka edhe një mori ndërtimesh të larta në Ferizaj, të ndërtuara nga kompania tjetër e tij “Hit Imperial”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Banesë e Hit Imperial në Ferizaj, afër punishtes ku ka nisur ndërtes e re | Foto: Hit Imperial, Facebook

    Biznesmeni multimilioner akuzohet për degradim të ambientit në Brezovicë

    Biznesmeni multimilioner Grainca është i përfshirë në rastin për korrupsion, ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit në vargmalet e Sharrit, konkretisht në Brezovicë.

    Dy villat të tij ishin sekuestruar dhjetori e vitit të kaluar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, në aksionin e njohur si “Brezovica”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Biznesmeni ferizajas, pronarë i kompanisë “Hit Imperial”, kur ishte kërkuar marsin e kaluar nga Policia, kishte ikur nga shtëpia.

    Ai nuk ishte paraqitur as në gjykatë atë muaj, për shkak të problemeve shëndetësore.

    Kështu pati thënë avokati i tij, Avni Ibrahimi, i cili tutje ka shpjeguar se klienti i tij gjendet në spital, pa dhënë detaje të tjera, nëse është duke u shëruar në Kosovë, apo jashtë saj.

    Ai ka edhe një aktakuzë tjetër të hapur pikërisht për degradimin e Brezovicës.

    “Fatmir Grainca akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës”, shkruan në aktakuzën të cilën e posedon Gazeta Insajderi.

    Akti akuzës ndaj tij dhe disa personave të tjerë ishte ngritur nga prokurori ferizajas, Rasim Maloku, më 16 nëntor, të vitit 2020.

    Fatmir Grainca para villave të ndërtuara nga Hit Imperial

    Villat e ndërtuara jashtëligjshëm nga firma e Graincës, tashmë janë në pronësi të disa prej figurave të njohura publike, siç janë Shyhrete Behluli dhe Ledri Vula.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark