×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Shoku multimilioner i Agim Aliut ‘terrorizon’ qytetarët e Ferizajt

    Insajderi
    25 March 2022 - 22:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Multimilioneri Fatmir Grainca vazhdon të jetë në arrati, dhe të mos i dorëzohet shtetit. Pavarësisht kësaj një nga kompanitë e udhëhequra nga ai, ka “terrorizuar” banorët e një lagjeje në Ferizaj.

    Gazeta Insajderi

    Kompania e “Hit Petrol” e multimilionerit Fatmir Graica, i cili është në arrati, është duke i terrorizuar banorët e rrugës “Gëzim Sahiti”, në Ferizaj.

    Ndërmarrja e biznesmenit ferizajas, është duke ndërtuar një banesë 11 katëshe, midis plot shtëpive, gjë që i ka shqetësuar banorët e në pjesën e njohur si “Lagjja e Re”.

    Pamje nga punishtja e Hit Petrol | TV Tema

    Pikërisht për këtë çështje, banorët sot e kanë bllokuar rrugën, në shenjë protestë për ndërtimin e lartë, që sipas tyre është duke u bërë në kundërshtim me ligjet dhe udhëzimet tjera të ndërtimit, shkruan Gazeta Insajderi.

     “Ne si banor të lagjes jemi mbledh, për me shpreh pakënaqësinë tonë lidhje me ndërtimin e banesës, që po bëhet në rrugën tonë. Ndërtimi i kësaj banese nuk i ka përfillë, kushtet e udhëzimit administrativ, për normat teknike të planifikimit hapësinor. Lejimi i ndërtimit të kësaj ndërtese në kushte të tilla e vështirëson jetën tonë dhe e rrezikon jetën e banorëve në lagjen tonë”, ka thënë banori Valdet Haxhimusa, për televizionin Tema, transmeton Gazeta Insajderi.

    “Nuk është marrë për baze lartësia e ndërtesë, vetë ndërtimi i kësaj banese rreth shtëpive të banimit është një kriter i mjaftueshëm që nuk duhet me u leju një ndërtese 11 katëshe. Nuk e di pse e kanë leju”, tha tutje Haxhimusa.

    Pamje nga protesta kundër Hit Petrol | TV Tema

    Udhëheqës i kësaj proteste, Kenan Gashi, që është përfaqësues i organizatës joqeveritare “Avonet” i ka bërë thirrje Prokurorisë Themelore në Ferizaj që të mos i mbyll sytë “para krimit urban në Ferizaj”.

    “Kërkojmë nga Prokuroria të fillojë hetimet për këtë vend, dhe t’i merr parasysh kërkesat dhe shqetësimet që kanë banorët”, ka thënë Gashi për TV Tema, transmeton Gazeta Insajderi.

    “Nuk janë plotësuar disa nga kushtet në harmoni me Ligjin, dhe udhëzimet administrative të Kosovës. Andaj, duke e parë të rëndësishëm shqetësimin e tyre, sot nëpërmjet kësaj proteste,  mbylljes së rrugës – ne e shprehim shqetësimin, sepse rrezikohet jeta e banorëve në këtë lagje”, tha Gashi.

    Prokuroria Themelore Ferizaj | TV Tema

    Ai tutje ka treguar se kanë kërkuar një takim me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Agim Aliun, për ta shqyrtuar vendimin e nxjerrë për dhënien e kësaj leje ndërtimor.

    Drejtoria e Urbanizimit të Aliut, lejen për ndërtimin e banesës 11 katëshe nga kompania e Graicës, ka dhënë më 15 tetor të vitit 2021.

    Vendimi për lejen e ndërimit
    Pëlqimi për lejimin e ndërtimit

    Aliu dhe Grainca duket se tashmë nuk kanë vetëm raporte pune, por edhe miqësore. Të dy janë parë shpesh në ngjarje jozyrtare, madje edhe janë fotografuar bashkë. Një nga këto shkrepje e ka siguruar Insajderi.

    Fatmir Graica dhe Agim Aliu

    Gazeta ka dy javë që e ka pyetur komunën e Aliut për ndërtimin që ka nisur nga kompania e Graicnës, por e njëjta nuk ka kthyer asnjë përgjigje.

    Ndaj këtij ndërtimi banorët e rrugës “Gëzim Sahiti”, kishin bërë edhe një peticion, qysh kur ishte dhënë pëlqimi për ndërtimin e 11-të katëshes, në prill të vitit 2021, por asnjëherë nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga komuna.

    Peticioni kundër ndërtesës 11-të katëshe

    Përgjigje nuk ka marrë as Insajderi, kur e ka pyetur komunën, pse i ka injoruar qytetarët e asaj ane.

    Për këtë çështje banorët e “Lagjes së Re”, kanë bërë edhe një kallëzim penal ndaj komunës së Ferizajt.

    Grainca ka edhe një mori ndërtimesh të larta në Ferizaj, të ndërtuara nga kompania tjetër e tij “Hit Imperial”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Banesë e Hit Imperial në Ferizaj, afër punishtes ku ka nisur ndërtes e re | Foto: Hit Imperial, Facebook

    Biznesmeni multimilioner që akuzohet për degradim të ambientit, vazhdon të ik nga shteti

    Biznesmeni ferizajas, Fatmir Grainca, nuk është paraqitur më 15 mars në gjykatë, për shkak të problemeve shëndetësore.

    Kështu ka thënë avokati i tij, Avni Ibrahimi, i cili tutje ka shpjeguar se klienti i tij gjendet në spital, pa dhënë detaje të tjera, nëse është duke u shëruar në Kosovë, apo jashtë saj.

    Grainca është i përfshirë në rastin për korrupsion, ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit në vargmalet e Sharrit, konkretisht në Brezovicë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lidhur me këtë rast, Policia ka zhvilluar një aksion tjetër në fillim të këtij muaji, ku ka arrestuar tetë persona, dhe ka bastisur disa lokacione, përfshirë edhe shtëpinë e Graincës.

    I njëjti nuk është gjetur aty, dhe nga ajo ditë, nuk është dukur gjëkundi, duke refuzuar t’i dorëzohet shtetit.

    Grainca vazhdon të jetë në arrati, dhe në kërkim nga Policia e Kosovës, ku dyshohet të jetë i përfshirë në ndërtimet e paligjshme brenda zonës së Parkut Kombëtar të Sharrit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Me këto ndërtime është marrë pikërisht kompania e tij, HIT Imperial. Villat e ndërtuara jashtëlishgjshëm nga firma e Graincës, tashmë janë në pronësi të disa prej figurave të njohura publike, siç janë Shyhrete Behluli dhe Ledri Vula.

    Gazeta Insajderi i ka shkruar Graincës mbi krejt këto dyshime, dhe pavarësisht se porosia ka mbërritur te ai, i njëjti ende nuk ka kthyer përgjigje.

    Biznesmeni ferizajas ka një aktakuzë të hapur pikërisht për degradim të ambientit në Parkun Kombëtar “Sharri”.

    “Fatmir Grainca akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës”, shkruan në aktakuzën të cilën e posedon Gazeta Insajderi.

    Fatmir Grainca para villave të ndërtuara nga Hit Imperial

    Akti akuzës ndaj tij dhe disa personave të tjerë ishte ngritur nga prokurori ferizajas, Rasim Maloku, më 16 nëntor, të vitit 2020.

    Gjykimi ndaj Graincës dhe të tjerëve nuk ka nisur akoma, pasi të tetë seancat e thirrura kanë dështuar për shkak të mungesës të të akuzuarve.

    Një seancë e fundit, ishte thirrur më 15 mars, por edhe ajo ka dështuar, shkruan Gazeta Insajderi.

    Rasti “Brezovica”, dhe të arrestuarit tjerë

    Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021, dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”.

    Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

    Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kurse, në aksionin e muajit janar janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.

    Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.

    Aksioni “Brezovica” ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Policia ka arrestuar dy persona dhe ka bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, përfshirë edhe objektin e Komunës së strukturave paralele të Serbisë aty.

    Në këtë aksion është arrestuar kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica” dhe një doganier, si të dyshuar për veprën penale “marrja e ryshfetit”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

    Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”./Gazeta Insajderi/

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark