×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Komuna e Lipjanit pretendon që MPB-ja tash e dy vite po e pengon ndërtimin e Parkut për qytetarët

    Insajderi
    12 February 2024 - 14:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    Shkruan: - Donjeta Islami

    Komuna e Lipjanit po pretendon që Ministria e Punëve të Brendshme është duke e penguar një projekt të rëndësishëm për qytetarët. Kjo për shkak se ministri, Xhelal Sveçla nuk po e jep dritën ‘jeshile’ për zhvendosjen e Qendrës së Regjistrimit të Dokumenteve, në një pjesë tjetër të qytetit. Kërkesa e kryetarit ndaj ministrit, po bëhet tash e dy vite. Hapësira që po shfrytëzohet nga MPB, është pronë e komunës. Por, asnjë përgjigje nuk kanë pranuar deri tani. Ndërkohë, kryetari ka paralajmëruar masa. Insajderi sjell detajet e rastit.

    Tri herë radhazi, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti i është drejtuar ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, me kërkesën e vetme: Lirimin e ndërtesës në shfrytëzim së Qendrës së Regjistrimit Civil.

    Kjo, për shkak se kryetari po planifikon ndërtimin e një Parku për lipjanasit.

    Kërkesa fillestare është ajo e datës 4 prill të 2022-ës.  

    Me 24 maj të 2023-ës, sërish Ahmeti e njoftonte Sveçlën edhe për objektin tjetër që i kishte në shërbimin për të kryer regjistrimet e qytetarëve, ia kishte ofruar ndërtesën e Qendrës për Punë Sociale.

    Sërish nuk kishte pranuar përgjigje dhe projekti për ndërtimin e Parkut të Qytetit po vazhdon të mbetet peng, për shkak mos-veprimit të ministrit.

    Së fundmi me kërkesën e njëjtët i është drejtuar edhe me 3 janar.

    Kryetari, Imri Ahmeti përmes një imelli të përcjellur në adresë të ministrisë dhe vet ministrit, Xhelal Sveçla, e të cilën e ka siguruar Insajderi, tregon se ka ofruar zgjidhje.

    Ai thotë se kushtet e ndërtesës të Qendrës për Punë Sociale, janë të mira dhe mund të kryhen shërbimet ndaj qytetarëve.

    Madje, thekson se edhe personeli i ARC-së ishte pajtuar me zhvendosje, krejt çka duhet është nënshkrimi i ministrit.

    “Gjatë kësaj periudhe ju kemi ofruar dokumentacionin e plotë për të dy ndërtesat, ku pas diskutimeve me personelin e ARC, përkatësisht të MPB-së deklarativisht u arrit pajtueshmëria e tyre që të merrni ndërtesa e cila është në shfrytëzim të QPS-së. Lidhur me këtë, përveç dokumentacionit përkatës ju kemi ofruar edhe sigurinë absolute juridike që të kalojmë në pronësinë e Minsitrisë tuaj ndërtesën e QPS-së dhe sipërfaqen/oborrin prej 100m2”, thuhet në miellin që kryetari i ka përcjellur ministrit Sveçla.

    Kryetari bën me dije se edhe pse po bëhen 2 vite që kanë parashtruar kërkesën e parë, e pastaj edhe një mori dokumentesh të kërkuara nga zyrtarë të ministrisë, nuk kanë pranuar ndonjë përgjigje.

    Ahmeti tregon se arsyeja e kësaj kërkesë është “realizimi i një projekti të rëndësishëm për komunën”

    Ndërkohë, ai potencon se edhe punimet aktuale që po kryhen në atë pjesë ku kryhen shërbimet e AC-së,  do të sjellin rrezik të lartë sipas tij për sigurinë fizike të kësaj ndërtesa.

    “…e cila po ashtu brenda pak ditësh do të mbetet pas asnjë qasje në rruge. Përveç tjerash, ne kemi detyrim të krijojmë kushte dhe të ofrojmë hapësirën e tërësishme të parcelës P-71409044-0 në pronësi të Komunës së Lipjanit për realizimin e punimeve të kontraktuara”, vijon shpjegimi i Ahmetit.

    I pari i komunës ka renditur edhe faktet juridike lidhur me pronën, si dhe statusin ligjor të ndërtesës që po shfrytëzohet nga Qendra e Regjistrimit Civil.

    Në njërën nga pikat, ai paralajmëron se “Me kalimin e afatit të përcaktuar dhe në rast të mos veprimit nga Ministria e juaj për lirimin e ndërtesës, ne do të jemi të detyruar të ndërmarrim të gjitha veprimet ligjore për rrënimin e ndërtesës dhe lirimin e hapësirë me qëllim të realizimit të projektit”.

    Imri Ahmeti, madje, deklaron se do të përdori edhe rrugët ligjore tjera në rast se nuk përfundon kjo marrëveshje.

    “Çdo vonesë nga tani e tutje, Komunën e Lipjanit do ta përballë me pasoja financiare, për të cilat gjithashtu ne do të jemi të detyruar të kërkojmë kompensimin e dëmeve nga Ministria e juaj përmes rrugëve gjyqësore”, thuhet në pikën e fundit të shkruar nga Ahmeti dërguar ministrit Sveçla.

    Se hapësira e re e ofruar nga komuna i plotëson kushtet e punës për t’iu shërbyer qytetarëve për Insajderin e tha edhe Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), Blerim Camaj.

    Camaj, tha se janë në pritje të marrëveshjes mes ministrit dhe kryetari të Lipjanit.

    “Jo, ende nuk jemi zhvendosur, tash procedurat kanë shkuar – tash varet prej ministrit dhe kryetarit të Komunës kur e bëjnë marrëveshjen. Po (jemi të kënaqur), ka qenë Komisioni dhe i kanë parë, hapësira është e mjaftueshme për ARC-në atje ku komuna ka rekomanduar”, tha ai për Insajderin.

    Ministri Sveçla se thotë asnjë fjalë  

    Përveç kërkesave të kryetarit të Lipjanit që nuk kanë marrë një përgjigje nga ministri, Xhelal Sveçla, ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje as për Insajderin, lidhur me rastin.

    Pyetjet janë përcjellur në adresë të ministrit dhe këshilltarëve të tij tash e 5 ditë, por të njëjtit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

    Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark