Dhembja e madhe për vajzën e humbur dhe deklaratat që u dhanë nga autoritetet e Prizrenit, nuk po e lejojnë Lirie Gashin, që tani të pranojë një ofertë nga kuvendi komunal.
Nëna e Xhenetës 3 vjeçare që javën e kaluar humbi jetën nga rrënimi i një objekti në zonën historike, po e refuzon propozimin që kësaj dhe vëllait binjak të Xhenetës t’i ndërtohet një shtëpi.
“Kanë ardhë do të Komunës, na kanë thanë për cdo sen për çdo rast hajdeni te na. Na kena refuzu se dua drejtësi për çikën dhe dua të arrestohet Dashurie Memçajn me gjithë Komunën. Se nuk më vyn ndihmë e tyre por më vyn me i denoncuar se çika nuk më kthehet më”, ka thënë Lirie Gashi për Klan Kosovën.
Ndërkohë, edhe Lirie Gashi, po e demanton edhe drejtorin e emergjencave Bedrija Ejupgaic, i cili i tha televizionit të dielën, se ajo nuk është banore e Prizrenit.
E pasi që nga komuna nuk dëshiron gjë veç përballjes në gjykatë, e ëma e së ndjerës kërkon ndihmë nga qytetarët vullnet mirë.
Ndërkohë, në mbështetje të saj, dhe në kërkim të llogarisë së drejtuesve komunal të Prizrenit, të mërkurën do të zhvillohet një protestë nga organizata të ndryshme joqeveritare. Aty përveç dorëheqjes së kryetarit të Prizrenit do të kërkohet edhe largimi i ministrit të kulturës dhe atij të planifikimit hapësinor./Insajderi.com