Policia Rajonale e Ferizajt, në bashkëpunim me Agjencinë e Pyjeve të Kosovës dhe Inspektoratin e Pyjeve, ka zhvilluar të dielën një aksion të përbashkët për kontrollin dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme në sektorin e pylltarisë.
Sipas Policisë, më 23 gusht 2026, nga ora 08:00, zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Ferizaj kanë asistuar zyrtarët e Agjencisë së Pyjeve dhe Inspektoratit të Pyjeve në kuadër të aktivitetit “Patrullim dhe kontroll i përbashkët mobil APK-Polici-Inspektorati i Pyjeve”.
Gjatë patrullimit në tregun javor në fshatin Dardani të Ferizajt, janë identifikuar gjashtë mjete bujqësore, traktorë me rimorkio, që transportonin masë drusore pa dokumentacionin përkatës.
Me asistimin dhe përcjelljen e policisë, mjetet janë dërguar në Agjencinë e Pyjeve në Ferizaj, ku është bërë matja dhe pranimi i masës drusore të konfiskuar.
Për procedurat e mëtejshme janë angazhuar zyrtarët kompetentë të Agjencisë së Pyjeve, të cilët kanë përpiluar procesverbalet përkatëse të inspektimit.
Policia Rajonale e Ferizajt ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet kompetente për parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme, përfshirë keqpërdorimin dhe prerjen e paligjshme të pyjeve.