Konfiskohen mbi 30 kilogramë substancë narkotike dhe arrestohet një person i dyshuar për ‘blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, ka njoftuar policia.
“Njësia për Hetimin e Trafikimi me Narkotikë në Prizren, pas marrjes së një informacioni se një person i dyshuar po transportonte substanca narkotike, në bashkëpunim me Njësinë e Autostradës kanë ndaluar automjetin Citroën, të cilin e drejtonte i dyshuari i cili duke mos respektuar urdhrat e zyrtarëve policorë ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes. Falë reagimeve dhe veprimeve profesionale të zyrtarëve policorë është arritur të ndalohet i dyshuari dhe të sekuestrohet substanca narkotike”, thuhet në njoftim.
I dyshuari i arrestuar në këtë rast është E. R. (1992).
“Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake në Prizren është bërë bastisja e shtëpisë së të dyshuarit, me ç’rast janë gjetur dhe janë sekuestruar si prova materiale 1 pushkë gjahu, 31 plumba, një automjet Citroën, dy telefona mobilë, dy paketime, në të cilat gjendet një substancë e dyshuar për narkotikë me një peshë totale prej 30 kg e 920 gramë”, vazhdon njoftimi i policisë.
Me aktvendim të Prokurorisë Themelore në Prizren, të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit policor në stacionin policor në Prizren./Insajderi.com