Mbi një ton e gjysmë dhe tre shqiptarë në pranga. Ky është bilanci i një operacionit të njësisë aeronavale të Guardia di Finanzas në brigjet e Barit, ndërmarrë në orët e fundit.
Policia italiane, e sinjalizuar nga autoritetet shqiptare është vënë në ndjekje të një gomoneje 10 metra të gjatë, e cila po udhëtonte me shpejtësi të madhe drejt brigjeve italiane dhe nuk u është përgjigjur thirrjeve për të ndaluar, njofton Top Channel.
Pas ndjekjes që ka zgjatur disa minuta, gomonia është bllokuar. Në bordin e saj janë gjetur mbi 1.5 ton hashash, që në tregun italian do të kapte vlerën e 15 milionë eurove.
Tre shqiptarë të moshës 26, 34 dhe 42 vjeç përfunduan në pranga dhe veç drogës u sekuestrua edhe gomonia e modifikuar me dy motorë të jashtëm me nga 350 kuaj fuqi secili.