×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Konflikt interesi, fëmijë në dialog”, kjo është studentja e AUK’ut për të cilën Abazi kritikoi Bislimin

    Insajderi
    02 April 2024 - 23:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, tash deputet i pavarur, ka kritikuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi se, siç u shpreh ai, “po merr fëmijë” në negociata me Serbinë. Në kritikat e tij ka përmendur se si Bislimi ka marrë studentë nga AUK’u për t’u përballur në dialog me shtetin fqinj. Një nga ish-studentet e Bislimit është Agnesa Jashari, tashmë këshilltare politike e tij.

    Abazi tha në një intervistë për Tëvë1 se, ekipi i Bislimit që ka negociuar me Serbinë në Bruksel është i përbërë me studentë të tij nga AUK’u, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Tani mund të jesh udhëheqës i lokomotivës por treni duhet të jetë i gjatë njerëzit duhet të jenë me ekspertizën e tyre përbrenda fahut profesional me të cilën janë marrë për një kohë të gjatë dhe kanë përvojë. Nuk shkohet në negociata me Serbinë më fëmijë. Kabineti ose ekipi i zvkryeministrit që ka negociu në Bruksel janë njerëz të moshës së re, student të tij në AUK që është konflikt i interesit gjithashtu”, deklaroi Abazi.

    “Nuk është me rëndësi emri i përveçëm por fenomeni me të cilin jemi ballafaqu është që unë do i marr disa studentë aty që më janë dukur të mirë në AUK dhe do të jenë njerëz që do të ulen në tavolinë, me njerëz me kapacitete jashtëzakonisht të mëdha”, shtoi tutje ai.

    Një nga pjesëmarrëset në ekipin negociator të Kosovës në dialog me Serbinë është edhe një ish-studente e Bislimit në AUK, aty ku jep mësim vetë zëvendëskryeministri. Bëhet fjalë për Agnesa Jasharin, e cila s’e fsheh nëpër rrjete sociale se e ka kryer fakultetin aty ku ka dhënë mësim shefi i saj.

    Para se Jashari ta këshillonte Bislimin, Bislimi e këshillonte atë. Në temën e diplomës në nivelin ‘Bachelor’ me titullin “Sfidat e mbledhjes së tatimit në pronën e paluajtshme: Rasti i Republikës së Kosovës”, Besnik Bislimi figuron si bashkë-mentor i saj.

    Përveç kësaj, Bislimi figuron të ketë qenë edhe pjesë e komisionit vlerësues në mbrojtjen e temës së tashmë këshilltares së tij.

    Tashmë këshilltarja e Bislimit në temën e diplomës së publikuar para gati katër vitesh shprehej tejet falënderuese për zëvendëskryeministrin.

    “Një falënderim i veçantë për profesorin Besnik Bislimi që ishte lexuesi i dytë dhe ofroi këshilla të vlefshme në përmirësimin e këtij hulumtimi”, thuhej në pjesën e falënderimeve. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark