Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se identifikimi i vrasësit të Astrit Deharit është shumë i lehtë, pasi ai, në momentin e vdekjes ishte nën menaxhimin e një zinxhiri komandues që mbikëquret nga Qeveria.
“Astritin nuk e ka vra shteti, por mungesa e shtetit, apo e ka vra pushteti”, ka thënë Konjufca.
Konjufca ka thënë se seancën e jashtëzakonshme për Astrit Deharin e ka kidnapuar PDK-LDK. Sipas tij, këtë seancë e ka kërkuar qysh moti Vetëvendosje.
“Nuk e kam besuar se do të vijë një ditë kur do të kidnapohen seancat. Seanca për Astrit Deharin u kidnapua nga PDK dhe LDK”, ka shtuar ai.
“Kidnapimi i seancës po ndodh për shkak që me i ikë peticionit të qytetarëve. Ai peticion nuk ka kërkuar vetëm debat, por edhe përgjegjësi për rastin e tij. Aty kërkohet dorëheqja e ministres së Drejtësisë, atij të Punëve të Brendshme”, tha Konjufca.
Ai ka thënë se vrasja e Astrit Deharit ka ndodhur në momentin kur ky shtet e shpalli atë terrorist.
Sipas tij, ky pushtet ia montoi provat Astrit Deharit. Konjufca ka thënë se ata që e kanë kidnapuar pushtetin janë Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Kadri Veseli./Insajderi.com