Shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se Kryesia e Kuvendit nuk arriti që të vendosë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme për Astrit Deharin, mbi bazën se nuk janë mbledhë 40 nënshkrime për thirrjen e një seance të tillë.
Konjufca ka thënë se kur Vetëvendosje i kishte mbledhë 40 nënshkrime, Kadri Veseli nuk e ftonte mbledhjen e kryesisë, pasi sipas Konjufcës, Veseli bënte presion te deputetët për tërheqjen e tyre.
Kështu, dje dy deputetë, Danush Ademi dhe Veton Berisha, i tërhoqën nënshkrimet, duke e pamundësuar thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.
Sipas Konjufcës, tash kur Vetëvendosje i ka vetëm 38 nënshkrime, të cilat nuk mjaftojnë, Kadri Veseli thirrë seancë të kryesisë për ta shqyrtuar këtë pikë të rendit të ditës, dhe kjo hedhet poshtë mbi bazën se nuk janë mbledhë 40 nënshkrime të nevojshme për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme.
“Ne i kemi mbledhur dy herë nënshkrimet, por dy herë ka dështuar pasi deputetë të caktuar i kanë tërhequr nënshkrimet – Danush Ademi dhe Veton Berisha. Tash i kemi 38 nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme. Dhe pasi ne dështuam për t’i mbledhë nënshkrimet, atëherë kryetari i Kuvendit Kadri Veseli e ka thirrë mbledhjen e kryesisë, pasi i ka kryer të gjitha trysnitë ndaj deputetëve. Tash mund të mbahet seancë e jashtëzakonshme sepse nuk janë 40 nënshkrime”, ka thënë Konjufca pasi e ka lëshuar mbledhjen e kryesisë.
Ai ka thënë se duhen pyetur oponentët e pushtetit se pse po i japin kaq shumë zor për të mos u mbajtur kjo seancë.
“Dikujt po i pengon kaq shumë në shtetin tonë që të flitet në Kuvend për Astrit Deharin?”, ka shtuar ai.
Madje ai ka thënë se “ka një lidhje mes atyre që e kanë shkaktuar vdekjen e Astrit Deharit dhe të atyre që po e pengojnë mbajtjen e seancës për të”.
Konjufca ka thënë se ende deri më tash organet kompetente nuk kanë arritur që të dalin me rezultate për vdekjen e dyshimtë të aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari./Insajderi.com