Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se çështja e targave nuk lidhet esencialisht me zhvillimet në veri.
Konjufca, i ftuar në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, tha se janë afro 60 mijë serbë në jug që nuk kanë asnjë targë, siç i quajti ai, të Millosheviqit, dhe se të njëjtit nuk mendojnë se kanë humbur diçka esenciale në jetën e tyre.
“Tash, në bazë të këtij komperacioni, nuk mundemi kollaj ta pranojmë argumentin që e tëra nisi për targa sepse e kemi pjesën tjetër të Kosovës ku ata jetojnë me këto targa”, është shprehur Konjufca.
Tutje, ia tha se Serbia po dëshiron që diçka të mos arrihet përmes argumentimit që ajo e kontrollon një pjesë të Kosovës.
“Tash e jona është që t’ia argumentojmë të kundërtën se nuk e kontrollon dhe atje është Policia e Kosovës, Policia Kufitare është në kufi, ka baza të policisë në veri”, është shprehur Konjufca.
I pari i Kuvendit tha se përmes këtyre veprimeve, Kosova do t’i tregojë Serbisë se strategjia e saj do të dështojë dhe është e pamundshme.
“Serbia i ka qëllimet e kundërta me Kosovë, do të tregojë se e kontrollon atë territor dhe tash ka nisur beteja rreth kësaj çështje dhe veprimet janë të organizuara brenda një skeme të madhe e cila fillon prej manifestimit dhe grumbullimit përmes protestës, dorëheqjeve të orkestruara në çdo nivel, prej deputetëve, kryetarëve të komunave e deri te RTK-ja”, është shprehur Konjufca në Klan Kosova.