×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca për Ditën e Gruas: Jam angazhuar për të marrë masa në drejtim të luftimit të pabarazisë gjinore

    Insajderi
    08 March 2024 - 10:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, për nder të Ditës së Gruas, 8 Marsi, është shprehur se vazhdimisht janë angazhuar për të marrë masa në drejtim të luftimit të pabarazisë gjinore.

    Me anë të një postimi në Facebook, Konjufca ka thënë se arritjet janë të numërueshme, siç është tepër evidente se edhe më shumë mbetet për t’u bërë, teksa ka shtuar se më shqetësuesja nga të gjitha ngelet dhuna në familje që pavarësisht masave ligjore dhe institucionale, vazhdon të jetë e lartë.

    Dita e Gruas, e shënuar më 8 Mars vijon ta zgjojë ndërgjegjen e gjithsecilit për të ecur në rrugën drejt barazisë.

    “Vazhdimisht jemi angazhuar për të marrë masa në drejtim të luftimit të pabarazisë gjinore. Arritjet janë të numërueshme, siç është tepër evidente se edhe më shumë mbetet për t’u bërë. Më shqetësuesja nga të gjitha ngelet dhuna në familje që, pavarësisht masave ligjore dhe institucionale, vazhdon të jetë e lartë”

    Kreu i Kuvendit ka theksuar se pabarazia gjinore shpërfaqet në sferën shoqërore, politike dhe ekonomike, e mirëmbajtur edhe nga gjuha që e normalizon atë, tutje ka thënë se sa më shumë që e shprehim kur e evidentojmë këtë pabarazi, aq më shumë zgjerohet mundësia e emancipimit.

    “Pabarazia gjinore shpërfaqet në sferën shoqërore, politike dhe ekonomike, e mirëmbajtur edhe nga gjuha që e normalizon atë. Sa më shumë e reflektojmë dhe e shprehim në kritikë kur e evidentojmë këtë pabarazi, aq më shumë zgjerohet mundësia e emancipimit, si përparim diskursi shoqëror dhe kornize ligjore, si kapërcim në ndërveprimin socio-kulturor dhe ushtrimin institucional.”

    “Ta ruajmë në vëmendje se kur themi grua, aty për aty kemi prekur gjysmën e popullsisë së një vendi, por edhe të gjithë botës. Në këtë kuptim, përveç se e drejtë, ngritja e pozitës së gruas është diçka prej të cilës fitojnë të gjithë, sepse angazhimi i plotë i shoqërisë përbën një rendiment maksimal të gjithanshëm. Ndërsa pabarazia, si padrejtësi, është edhe kundërshoqërore, kundërpolitike dhe kundërekonomike”

    “Në shoqërinë tonë ne kemi edhe figurën e gruas luftëtare, figurë e tejkalimit të paracaktimit, që angazhon aftësitë në shërbim të lirisë së përbashkët. Kjo na nderon, por dhe na shërben si shembull që duhet përthyer bashkërisht në figurën e gruas përballë sfidave të paqes”

    “Gruas i duhet sfera publike, por sferës publike i duhet gruaja edhe më shumë, sepse pa gruan ajo nuk mund të jetë e mirëfilltë. E në anën tjetër, domeni socio-ekonomik pa gruan e integruar plotësisht, ngelet vetëm një rend ku menaxhohet dhuna apo shtypja, e përmasave dhe natyrave të ndryshme, herë duke bërë bujë e më shpesh në heshtje. Të përfitojmë nga rasti që na ofron 8 Marsi, duke e dëgjuar atë si thirrje për reflektim dhe angazhim të pandërprerë, deri në emancipim të plotë, i cili na përmbush të gjithëve.”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark