Konjufca: Përfshirja e të rinjve është thelbësore për demokracinë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Konjufca: Përfshirja e të rinjve është thelbësore për demokracinë

    Insajderi
    15 September 2023 - 18:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kuvendi i Republikës së Kosovës shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë me një varg aktivitetesh.

    Në prani të përfaqësuesve të shumtë të shoqërisë civile, nxënësve dhe qytetarëve të tjerë, hapjen e Ditës së Demokracisë e bëri kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Në fjalën e tij kreu i Kuvendit tha se këtë vit kjo ditë po festohet më ndryshe, pasi që Republika e Kosovës është anëtarësuar në Partneritetin për Qeverisje të Hapur, përcjell Arbresh.info.

    “Për ne është një arritje jashtëzakonisht e rëndësishme anëtarësimi në këtë organizatë, pas një periudhe të gjatë punësh dhe përpjekjesh që nuk kufizohen vetëm në legjislaturën tonë, por vijnë qysh më herët, nga e kaluara. Kjo pra përveç tjerash tregon edhe për pjekurinë e institucioneve tona, sepse janë disa projekte që vazhdojnë qysh më herët dhe kurorëzohen në njërën prej legjislaturave të caktuara”, tha kryetari Konjufca.

    Transparenca, shtoi kryetari i Kuvendit, është vlera më demokratike e një qeverisjeje dhe kjo, siç tha ai, rrit besueshmërinë e publikut dhe të shoqërisë në institucione. Njëkohësisht e bën qytetarin hisedar të vendimmarrjes dhe pjesëmarrjes në procesin demokratik.

    “Institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë për aktivizimin sa më të madh të të rinjve, duke investuar në edukimin dhe zhvillimin e tyre, ngase një shoqëri demokratike mund të mirëmbahet si e tillë kur çmohet kontributi i gjeneratave të reja”, theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës.

    Kryetari Konjufca shtoi se përbërja e legjislaturës aktuale i ndihmon deklaratës së tij, sepse 15 për qind e deputetëve janë nën moshën 35 vjeçare.

    Ndërtimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit dhe arritjen e lirisë dhe pavarësisë, kryetari i Kuvendit e quajti testament të së kaluarës, e të cilin tha se duhet ta përcjellin me shumë kujdes te gjeneratat që po vijnë.

    “Ne duhet të angazhohemi për krijimin e mundësive për angazhim sa më aktiv të të rinjve dhe t’i fuqizojmë ata nëpërmes programeve dhe platformave të ndryshme. Forma më e mirë se si të arrihet kjo është investimi në forcimin e edukimit dhe zhvillimit të aftësive të të rinjve tanë. Edukimi dhe përfshirja e të rinjve si një burim i rëndësishëm i zhvillimit njerëzor është thelbësor për demokracinë”, tha kryetari Konjufca.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark