Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se kjo parti në zgjedhjet e ardhshme mund të bashkëqeverisë me çdo parti politike, përveç PDK-së dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafës.
“Lëvizja Vetëvendosje ka vija të kuqe ndaj PDK-së dhe Isa Mustafës”, ka thënë Konjufca.
Deputeti Konjufca thotë se prishja e “Bllokut opozitar” pamundësoi rrëzimin e qeverisë dhe për këtë e ka fajësuar AAK-në dhe Nisma-n.
Zgjedhjet e parakohshme thotë se do duhej të ndodhnin në vitin 2017, por për këtë do duhej një presion i madh opozitar.
“Presioni më i madh ndaj qeverisë varet shumë nga pozicionimi i AAK-së dhe Nisma-s”, ka shtuar ai në një intervistë për Ekonomia Online.
Konjufca ka komentuar edhe sondazhet e fundit të cilat e nxjerrën VV-në si parti të dytë. E pranon se për ta mundur PDK-në u duhet ta rrisin aktivitetin politik për 40 për qind.
“Që të dalim para PDK-së na pret një punë e madhe përpara dhe një rritje e vëllimit të punës për rreth 40 për qind. Kjo nuk është e pamundshme, sepse pa dalë partia e parë nuk do të mundemi t’i implementojmë aspiratat tona për një shtet të drejtë dhe me një sovranitet të plotë”, thotë Konjufca.
Konjufca flet për demarkacionin, liberalizimin e vizave, murin në veri dhe rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Ai kërkon që dialogu me Serbinë të ndërpritet dhe të zhvlerësohen të gjitha marrëveshjet e arritura të cilat i konsideron të njëanshme dhe në disfavor të Kosovës.
Gazi në Kuvend dhe protestat e dhunshme nëpër rrugët e kryeqytetit thotë se e dëmtuan imazhin e Kosovës, por vlerëson se ia arritën që të ruajnë sovranitetin e shtetit.