Me kërkesë të avokatit Adnan Pacolli, i cili ishte në seancë si mbrojtës sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin Begzat Musliu, është ndërprerë gjykimi i së mërkurës në rastin ku Musliu, si drejtor i Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), dhe Naim Sallahu ish-drejtori i kompanisë “Sallahu” Sh.P.K., po akuzohen për korrupsion.
Në këtë rast Begzat Musliu akuzohet se jashtëligjshëm përpiloi një raport auditimi në favor të kompanisë “Sallahu”, ndërsa Naim Sallahu, ish-drejtori i kompanisë “Sallahu” Sh.P.K. akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Pacolli kërkoi ndërprerjen e seancës me arsyetimin se nuk kishte mundësi që të përgatitej lidhur me këtë çështje për të mbrojtur të akuzuarin Musliu, pasi që edhe gjykimi ishte në fazën e marrjes në pyetje të deshmitarëve të mbrojtjes.
“E njoftoj gjykatën se nuk kam qenë i njoftuar me kohë, nuk kam pas mundësi që të përgatitem me shkresat e lëndës për këtë seancë. Kërkoj nga gjykata të shtyhet kjo seancë për një ditë tjetër”, tha avokati Pacolli.
Një kërkesë e tillë nuk u kundërshtua as nga prokurori i çështjes Bashkim Zeqaj, mirëpo i njëjti kërkoi nga Oda e Avokatëve të Kosovës që të sqaronte për prezencën e avokatit Pacolli për të mbrojtur të akuzuarin Musliu sipas detyrës zyrtare.
Më pas, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Avni Syla aprovoi propozimin e avokatit Pacolli, me arsyetimin se i njëjti nuk ishte njoftuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës që ishte caktuar avokat sipas detyrës zyrtare, por nga i akuzuari Musliu dhe se shkresat e lëndës i kishte marrë me vonesë nga avokati paraprak.
Ndër të tjera, gjykatësi Syla tha se gjykata lidhur me pengesën e cila u paraqit sot në seancë do t’i drejtohet OAK-së me shkresë për të kërkuar arsye pse nuk ishte njoftuar me kohë avokati Pacolli pasi që një pengesë e tillë e vononte punën e gjykatës.
Në këtë seancë, ishin të pranishëm edhe dëshmitarët Hysen Merovci dhe Shaban Krasniqi, ndërsa mungoi dëshmitarja Nexhibe Behluli, për të cilën gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim.
Gazeta Insajderi raportoi në vazhdimësi se si i akuzuari për mashtrim Sallahu me kompaninë “Sallahu Sh.P.K” fitoi një tender prej mbi tetë milionë euro për rrugën “Jim Xhema”, të njohur si Rruga A, nga Komuna e Prishtinës.
Insajderi e kishte pyetur direkt kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën, nëse ndodh në Londër që një tender ta fitojë një i akuzuar për mashtrime, mirëpo ai u acarua nga pyetja e Insajderit.
Raportimet e Insajderit: