×
  • Lajme
  • Insajderi

    Burg për zyrtarët e ministrisë, gjobë për biznesmenin Sallahu që falsifikoi dokumentet për tenderin 1 milionësh

    Insajderi
    03 October 2022 - 15:25

    Dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, u dënuan me burgim se gjatë një tenderi rreth 1 milionësh, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim që të përfitonte kompania e biznesmenit Naim Sallahu. Ky i fundit ishte akuzuar për “Falsifikim të dokumentit”, por i shpëtoi burgut pasi e pranoi fajësinë

    Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, ish sekretari dhe ish shefi i tenderëve në Ministrinë e Infrastrukturës sot u shpallën fajtor dhe u dënuan nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Ndaj tyre u shqiptuar dënimi prej pesë vitesh burgim, dy vite burgim për Bekteshin dhe tri vite burgim për Tahiri.

    Bashkë me ta ishte akuzuar edhe biznesmeni Naim Sallahu për veprën penale “Falsifikim i dokumentit”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ndryshimi i datave të procedurës tenderuese të Ministrisë, nga këta dy zyrtarë, kishte ndikuar që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

    Sipas aktakuzës, Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23 maj 2016 në vend të datës reale 26 qershor 2016.

    Kurse Tahiri akuzohej se si shef i Prokurimit kishte ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

    Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të lartë.

    Akuza e ngarkonte biznesmenin Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”, me veprën penale “Falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

    Edhe pse Sallahu e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtetë. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë.

    Por pavarësisht akuzës, biznesmeni Sallahu kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që ky dënim i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë. /Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    29 March 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark