Komuna e Mitrovicës ka dhënë tender afro 700 mijë euro për rrugën “Bislim Bajgora” dhe “Agim Ramadani”. Ky tender ishte propozuar për anulim në qershor të këtij viti për shkak të tejkalimit të shifrave të parapara. Katër muaj më vonë Komuna është dorëzuar duke nënshkruar tenderin që tejkalon vlerën e parashikuar prej 150 mijë euro. Tenderi i është dhënë kompanisë së biznesmenit Bujar Shabani.
Gazeta Insajderi
Zyrtari i prokurimit, Haxhimet Ferati më 2 qershor kishte propozuar anulimin e kontratës për rehabilitimin e rrugës “Bislim Bajgora” dhe “Agim Ramadani – Katana”, nën arsyetimin se ofertat që janë bërë nga kompanitë janë të larta. Ai madje i kishte quajtur si oferta manipuluese dhe të dyshimta.
Në kërkesën për anulim që ka siguruar Gazeta Insajderi, thuhet se me këto oferta tejkalohet buxheti dhe janë 150 mijë euro më shumë sesa ishin paraparë.
“Për shkak se oferta tejkalon vlerën e parashikuar prej 150,000 mije euro, për shkak të absurditetit të operatoreve ekonomik dhe ofertave të tyre manipuluse dhe të dyfishta në si AK duke u bazuar në nën 62 pike 2.1 të LPP’së kërkojmë anulimin e kontratës”, thuhet aty.
Por, vetëm katër muaj më vonë, zyrtari i prokurimit që e quajti, këtë tender “absurditet”, e nënshkroi vetë kontratën.
Më 31.10.2023 iu dha tenderi kompanisë “Bujar Shabani B.I”, me vlerën prej 699 mijë euro, të cilën më parë e kishin konsideruar si ofertë që del jashtë buxhetit.