Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kryer kontroll në shtëpinë e një personi në Ferizaj, ku ka gjetur dhe sekuestruar një armë me gaz dhe gjithsej 16 fishekë.
Bëhet fjalë për të dyshuarin M.M., 42-vjeçar, në shtëpinë e të cilit në fshatin Talinovc i Jerlive janë gjetur një armë me gaz, 13 fishekë të armës me gaz, dy fishekë të armës së shkurtër dhe një fishek i armës së gjatë.
Sipas Policisë, kontrolli është kryer pasi njësiti i hetimeve i Stacionit Policor në Ferizaj, gjatë hetimit të një rasti të iniciuar ditë më parë, kishte siguruar informacione se një person i dyshuar po posedonte në mënyrë të kundërligjshme një armë zjarri.
Lidhur me rastin, më 02.09.2026, zyrtarët policorë kanë kontaktuar të dyshuarin M.M., 42 vjeç, i cili ka pranuar se në shtëpinë e tij në fshatin Talinovc i Jerlive posedonte një armë zjarri.
Njësiti i hetimeve, në bashkëpunim me njësitin e forenzikës, ka realizuar kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar:
Një armë me gaz;
13 fishekë të armës me gaz;
2 fishekë të armës së shkurtër;
1 fishek i armës së gjatë.
Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e rastit penal “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore.