Prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Koordinatori Nacional për rastet e Dhunës në Familje, z. Ersan Qavolli, ka zhvilluar takim me znj. Sabine Dwinger, udhëheqëse tematike për dhunën në baza gjinore në kuadër të Njësisë së Monitorimit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
Gjatë takimit, koordinatori Qavolli e njoftoi përfaqësuesen e EULEX-it me prioritetet e Kryeprokurorit të Shtetit dhe përkushtimin e sistemit prokurorial për trajtimin me seriozitet dhe prioritet të rasteve të dhunës në familje dhe të dhunës në baza gjinore.
Në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimi i përvojave profesionale dhe harmonizimi i praktikave të veprimit, me qëllim të avancimit të trajtimit të këtyre rasteve dhe rritjes së efektivitetit të reagimit institucional.
Po ashtu, u diskutua për rëndësinë e mbështetjes profesionale dhe të monitorimit të praktikave, si mekanizma që mund të kontribuojnë në identifikimin e sfidave dhe përmirësimin e vazhdueshëm të punës së institucioneve në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.