Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai kinez, Xi Jinping, kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me tensionet e rritura në Gadishullin Korean, pasi Koreja e Veriut ka kryer testimin e një rakete balistike më 14 maj, ka thënë zëdhënësi i Putinit.
Duke folur në margjinat e vizitës së Putinit në Pekin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se dy liderët “kanë diskutuar në detaje për situatën në Gadishullin Korean” dhe “dy palët kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me përshkallëzimin e situatës”.
Sipas zyrtarëve të Koresë së Jugut dhe Japonisë, raketa balistike e lëshuar nga Koreja e Veriut fluturoi mbi 700 kilometra për një orë e gjysmë dhe arriti në lartësi prej 2 mijë kilometrash, për të arritur në Detin e Japonisë.
Deti i Japonisë rrethohet nga Gadishulli Korean, Japonia dhe lindja e largët e Rusisë.
Shtëpia e Bardhë më herët ka thënë se presidenti Donald Trump “nuk mund të imagjinojë që Rusia është e kënaqur” me provën e fundit raketore të Koresë së Veriut.
“Impakti i raketës së lëshuar ishte shumë afër territorit rus – në fakt, ishte më afër Rusisë se Japonisë – presidenti nuk mund të imagjinojë se Rusia është e kënaqur”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, ku bëhet thirrje për “sanksione shumë më të forta”, kundër Phenianit.
Ndërkaq, Kina ka bërë thirrje për “përmbajtje”.
“Kina kundërshton shkeljen e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga Koreja e Veriut”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Kina ka qenë nën presion, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara, që të ndihmojë në frenimin e udhëheqësit veri-korean, Kim Jong-Un.
Pekini është nikoqir i samitit për tregti globale dhe projekte të infrastrukturës dhe delegacioni nga Koreja e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara, pritet të marrin pjesë në forum.
Putin dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, gjithashtu pritet të marrin pjesë në samit.
Kina është aleat i vetëm i madh i Koresë së Veriut në fushën ekonomike.
Koreja e Veriut ka kryer një seri të provave të raketave bërthamore në muajt e fundit, edhe pse disa prova kanë qenë të dështuara, kanë thënë zyrtarët e Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.
Raketa e lëshuar më 14 maj ka fluturuar më lart se raketa me veprim të mesëm, e lëshuar nga Koreja e Veriut në shkurt, në po të njëjtin rajon të Kusong.
Programi bërthamor dhe i raketave balistike të Koresë së Veriut është i ndaluar nga Kombet e Bashkuara.
Presidenti Donald Trump, në të kaluarën kishte thënë se janë të papranueshme testet e kryera nga Veriu. Administrata e tij, disa herë ka lëshuar kërcënime ushtarake ndaj Veriut dhe disa herë ka ofruar të bisedojë me Phenianin.
Prova raketore e së dielës është e para që prej se është zgjedhur presidenti i ri i Koresë së Jugut, Moon Jea-in.
Moon e ka dënuar këtë provë duke thënë se “është provokim”.
Zyra e Moonit më 12 maj, kishte thënë se presidenti i kishte bërë thirrje homologut rus, Vladimir Putin, gjatë një bisede telefonike, që të luajë “rol konstruktiv” në zgjidhjen e tensioneve me Korenë e Veriut dhe kërcënimeve që Veriu ka bërë për përdorimin e armëve bërthamore.