Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku në fillim të muajit prill emëroi në pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës klarinetistin dhe balerinin , Sinan Kajtazi.
Përpos telasheve të shumta që ky konkurs doli të kishte, pas raportimit të mediave se konkurenti, Labinot Rexhepi u pranua në testim me shkrim edhe pse nuk i plotësoi kriteret, tani problem po del të jetë ministri Çeku.
Tanimë, ai ka dhënë arsyen pse në krye të Baletit Kombëtar është zgjedhur Kajtazi e jo ndonjë koreograf dhe njohës i fushës tjetër.
“Kanë qenë disa ankesa, janë shqyrtuar dhe përfundimisht besoj qe zgjedhja e z.Kajtazi ka qene proces i rregullt, mirëpo te gjithë ata qe pretendojnë qe mund të ketë parregullsi mund ti drejtohen gjykatës. Kemi qenë të kujdesshëm”, ka thënë ai.
Gjithashtu ministri i kulturës shpjegoi se çështja ka përfunduar edhe te avokati i popullit, sepse sipas tij nuk kemi nivel superior te edukimit ose shkollimit ne balet dhe është kërkuar interpretim nga avokati i popullit, nëse kriteri i shkollimit universitarë për tu kualifikuar është diskriminim pasi në Kosovë nuk ofrohet një nivel edukimi i tillë.
“Avokati ka thëne që shkolla e fundit në këto fusha është shkolla e mesme”, tha ai.
Krejt kjo u demantua nga koreografi, Robert Nuha i cili tha se ministri Çeku po iu fyen shkollimin dhe i njëjti duhet të kërkojë falje për deklaratën e tij.
“Dua t’i bëjë me dije ministrit që në Kosovë ka mjaftueshëm Koreograf të dëshmuar e me shkollimin adekuat të Koreografisë në programet e studimit Bachelor dhe Master në Universitetin e Arteve në Tiranë. Perveq kesaj tash e 3 vite është akredituar fakulteti i Koreogeafisë pranë Kolegji AAB – Arkitekturë dhe Arte në të cilën pikërisht ne edukojmë brezat e ardhshëm te kërcimtarëve profesionist e gjithashtu Koreografëve”, ka shkruar ai në facebook.
Ai gjithashtu shtoi se ata nuk e dinë a e ka bërë këtë prej mos informimit apo prej vendimit jo të përshtatshem.
“Duke zgjedhë një KLARINETIST në drejtimin e Baletit Kombëtar të Kosovës, Ministri shprehet se në Kosovë nuk ka kuadro me shkollim të lartë në fushën e koreografisë”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i koreografit:
Të shqetësuar me këtë deklaratë kanë qenë edhe koreografë të tjerë, ndër ta edhe udhëheqësi i degës së baletit, Driton Saqipi i cili tha se ishte ofendim për ta.
“Po është shumë ofendim për neve, me shumë mund dhe sakrificë kemi mbaru koreografin në Universitetin e Arteve në Tiranë del thotë ska Kosova profesionist”, tha ai për Insajderin.
Në anën tjetër konkurentë për pozitën e drejtorit të Baletit Kombëtarë ishin edhe Kreshnik Musolli, Sabrije Spahiu, Labinot Rexhepi, Driton Saqipi e Mirsad Ferati.