Korrupsioni shteron resurset shtetërore dhe largon investimet – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Korrupsioni shteron resurset shtetërore dhe largon investimet

    Insajderi
    05 December 2016 - 14:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Korrupsioni është një nga gjërat më të këqija, që në Kosovë është shumë prezent, dhe nëse ajo nuk vazhdohet të luftohet, do të jetë një katastrofë e madhe për Kosovën”.

    Ky ishte vlerësimi i përfaqësuesit të zyrës së USAID-it në Kosovë, Mike De La Rosa, në ditën e parë të “Javës kundër korrupsionit”.

    La Rosa shtoi se korrupsioni shteron resurset dhe ulë investimet në vend.

    “Korrupsioni i shteron resurset e vendit dhe largon çdo mundësi të avancimit të vendit. Për ta luftuar atë duhet një përpjeke e madhe”, ka shtuar La Rosa.

    Ndër tjera, ai tregoi se USAID do ta ndihmojë Kosovën në luftën kundër korrupsionit duke rritur kapacitetin e auditorëve dhe duke trajnuar organizatat e shoqërisë civile që ta luftojnë atë.

    Ndërsa Agim Krasniqi nga Ministria e Financave, tha se kanë filluar që përmes reformës së ‘e-prokurimit’ të parandalojmë keqpërdorimet dhe korrupsionin.

    “Përmes ‘e-prokurimit’ ne ndalojmë kontaktet direkte në mes zyrtarëve publikë dhe operatorëve ekonomikë, dhe kjo do të ndikojë në zvogëlimin e masave për korrupsion”, ka thënë Krasniqi.

    “Kjo reformë parandalon favorizimet dhe regjistron çdo proces të prokurimit. Përveç parandalimit ‘e-prokurimi’ ofron edhe gjurmë të plota për auditorët e performancës dhe mundësinë më të mirë për identifikim dhe keqpërdorim”, shtoi ai.

    Besnik Osmani – Auditor i Përgjithshëm në Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA) theksoi se edhe pse raportet e ZKA-së janë plotësisht publike dhe transparente, duhet të bëhet koordinim më i mirë i diskutimit të raporteve me të gjeturat me rrezik të madh meqenëse shpeshherë disa raporte me më pak të gjetura bëhen më aktuale.

    Osmani ka thënë se vetëm gjatë vitit të kaluar, ZKA ka dhënë mbi 1300 rekomandime, nga të cilat 830 ishin me rrezik të madh pavarësisht partisë politike e cila është bartëse e cilit do institucion si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.

    “Për ta rritur transparencën kërkojmë përkrahjen e publikut dhe medieve, në mënyrën që ta rrisim transparencën dhe ta minimizojmë hapësirën për afera apo aktivitete korruptive”, tha Osmani.

    Nora Latifi-Jashari, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit GAP, tha se korrupsioni merr forma të ndryshme në Kosovë, dhe njëra ndër to është edhe korrupsioni në të hyrat dhe shpenzimet buxhetore.

    Për më shumë, ajo foli për platformën buxhetore që Instituti GAP e ka ndërtuar që nga viti 2013 “Si i shpenzon shteti paret tona?”, dhe theksoi rëndësinë e publikimit më në detaje të shpenzimeve buxhetore nga institucionet publike se sa ato që shpenzohen në raportet e rregullta të organizatave buxhetore.

    Gjithashtu, Latifi-Jashari përmendi se transparenca dhe raportimi i keqpërdorimit të buxhetit nuk janë të mjaftueshme, nëse nuk intervenojnë institucionet kompetente që keqpërdorimet e identifikuara të adresohen konform ligjit.

    “Java kundër korrupsionit” është aktivitet i përbashkët nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Çohu, Demokraci Plus (D+), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

    “Java kundër korrupsionit”, do të vazhdojë deri më 9 dhjetorë ku do të ketë aktivitete të ndryshme lidhur me korrupsionin në institucionet e Kosovës./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark