×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova fiton betejë të rëndësishme në Arbitrazh

    Insajderi
    03 May 2018 - 22:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Avokati Besnik Berisha përmes një statusi në rrjetin e tij social Facebook ka bërë të ditur se Republika e Kosovës ka fituar betejën në Arbitrazh kundër Kompanisë Axos GMBH, e cila kërkonte si dëmshpërblim qindra miliona euro nga Republika e Kosovës, për anulimin e privatizimit të 75% të aksioneve të PTK-së.

    “Me kete vendim, Axos GMBH detyrohet t’i paguaje Republikes se Kosoves 2 milion euro ne emer te shpenzimeve per perfaqesim dhe jo vetem. Si njeri nga ata qe ka besuar ne kete fitore dhe qe bashkarisht me ish kryeministrin Mustafa, ish ministrin Blerand Stavileci dhe koleget tjere te kabinetit te kryeministrit dhe ministrive respektive, kemi koordinuar te gjitha procedurat e mbrojtjes se interesave te Republikes se Kosoves dhe perzgjedhur perfaqesuesin tone ne Arbitrazh, jam jashtezakonisht i lumtur me kete epilog”, ka shkruar Berisha.

    Në tetor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës e pati autorizuar kompaninë amerikane “Patton Boggs” për ta përfaqësuar Kosovën në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit kundër kompanisë “AXOS”.

    Për këtë qëllim, Qeveria e ka paguar mbi 15 mijë euro këtë kompani.

    Kosova do të përballet në arbitrazh me kompaninë “ACP Axos Capital Gmbh”, e cila ishte shpallur fituese në tenderin e vitit 2013 për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të kompanisë së telefonisë mobile “Vala”, për të cilën kishte ofruar 277 milionë euro, por pas disa shtyrjeve Qeveria nuk e nënshkroi kontratën me këtë kompani.

    Nga padia e “Axos”-it, nëse Qeveria e Kosovës e humb rastin rrezikon të humbasë 180 deri në 500 milionë euro.

    Kompania “Patton Boggs” me seli në Uashington ishte angazhuar nga Qeveria e Kosovës, kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, për të lobuar për Kosovën. Për këtë shërbim kjo kompani ishte paguar 50.000 dollarë amerikanë në muaj nga zyra e Thaçit.

    “Patton Boggs” ishte paguar nga Zyra e Kryeministrit për t’i ofruar Kosovës “shërbime këshilluese në çështjet ligjore dhe avokim për t’u përdorur për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe”.

    Edhe Qeveria e kaluar, e udhëhequr nga Isa Mustafa, kishte ndarë 150 mijë euro për t’u përgatitur për përballje në arbitrazh me kompaninë “ACP Axos Capital Gmbh”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark