×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Kosova mund të përfitojë nga fondi kuvajtian

    Insajderi
    12 April 2018 - 14:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Grupi parlamentar i Miqësisë Kuvajt – Kosovë, në kuadër të vizitës në Kosovë, u prit sot në një takim të veçantë nga grupi homolog i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

    Zafir Berisha, në emër të grupit të miqësisë të Kuvendit të Kosovës, u shprehu mirëseardhje mysafirëve nga Kuvajti.

    Ai i njohu miqtë kuvajtianë me punën, rolin dhe përbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si institucioni më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës i vendit.

    Deputeti Berisha po ashtu foli për arritjet e shtetit të Kosovës në shumë segmente, ndërsa shtoi se ende ka nevojë për mbështetjen e miqve të tij.

    Kryetari i Grupit të Miqësisë me Kuvajtin, theksoi se Kuvendi i Kosovës dhe Asambleja Kombëtare e Kuvajtit tashmë kanë krijuar një traditë të mirë të shkëmbimit të vizitave të delegacioneve të larta parlamentare dhe shtroi nevojën që ky bashkëpunim të intensifikohet edhe më tej në të ardhmen.

    Deputeti Milaim Zeka e konsideroi nderë të madh vizitën e miqve kuvajtianë në Kosovë dhe përmendi ofertat që i ka bërë Kuvajti Kosovës për projekte të ndryshme në sferën e zhvillimit ekonomik.

    Deputeti Ilir Deda shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Kuvajti i ka dhënë Kosovës në momentet më të vështira të historisë së saj.

    Deputetja Flora Brovina, para miqve shprehu falënderimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kuvajtit, ndërsa theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe atë sociale.

    Për një bashkëpunim më të madh midis dy shteteve dhe parlamenteve, u angazhuan edhe Safete Hadergjonaj e Driton Selmanaj.

    Deputetja Blerta Deliu-Kodra, ndërkaq, u fokusua në synimet e Kosovës për integrim të shpejt euro-atlantik. Ajo kërkoi thellim të bashkëpunimit në projekte zhvillimore për hapjen e vendeve te reja të punës për të rinjtë.

    Për nevojën e thellimit të bashkëpunimit dhe partneriteti parlamentar midis Kuvajtit dhe Kosovës, foli edhe deputeti Armend Zemaj.

    Kryesuesi i delegacionit nga Kuvajti, njëherësh kryetar i Grupit të Miqësisë me Kosovën në parlamentin kuvajtian, Waleed Al- Tabtabaie, duke shprehur falënderimin e tij për mikpritjen, theksoi se Kuvajti ka qëndruar përkrah Kosovës në kohë dhe rrethana të ndryshme, duke bërë përpjekje që të ketë paqe në këtë vend.

    Ai gjithashtu bëri të ditura përpjekjet dhe përkushtimin e shtetit të Kuvajtit për njohjen e Kosovës nga vendet arabe të cilat ende hezitojnë ta bëjnë këtë. Ai, përmendi disa shtete arabe të cilat janë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, e cila, sipas tij, lidhet me faktin se disa shtete janë të ndikuara nga Rusia, për interesat e tyre.

    Al- Tabtabaie foli edhe për fondin kuvajtian, nga i cili, sipas tij, mund të përfitojë edhe Kosova, në projekte të ndryshme infrastrukture. Ai konfirmoi se bashkëpunimi Kuvajt-Kosovë do të vazhdojë si në rrafshin shtetëror, ashtu edhe atë privat.

    Në emër të deputetëve mikpritës, Zafir Berisha u zotua që se shpejti do të realizohet një vizitë në Kuvajtit, në funksion të forcimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit midis dy shteteve. ​

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark