Edita Tahiri ministrja për Dialog, ka njoftuar se sot shteti i Kosovës është bërë me kod telefonik ndërkombëtarë 383, të cilën sipas saj ITU ia alokoi edhe zyrtarisht.
“Bëjmë me dije opinionin se ITU në pajtim me marrëveshjen e telekomit ka publikuar kodin telefonik për Kosovën. Ky lajm përbën një të arritur historike për fushën e telekomit dhe fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Kosova ka hyrë në listën zyrtare të shteteve dhe rajoneve gjeografike që kanë kode telefonike, pasi që Unioni ndërkombetarë i telekomunikimeve (ITU), Kosovës i ka ndarë kodin telefonik +383.
Edhe në buletinin e ITU, njoftohet për dhënjen e kodit, që është i njëjtë me tekstin e marrëveshjes që ishte arritur ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Marrëveshja për Telekomin në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte arritur në shtator të vitit 2013, në mes të dy tash ish-kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, mirë kjo marrëveshje asnjë herë nuk ishte implementuar pasi që pala serbe kishte kërkuar shtrirje të antenave të Telekomit në të gjithë Kosovën. /Insajderi.com