Kombëtarja e Kosovës nis sonte rrugëtimin e saj drejt Kampionatit Botëror 2026. “Dardanët” do të përballen me Zvicrën në stadiumin e Baselit, me fillim nga ora 20:45, në ndeshjen e parë të Grupit B të kualifikimeve, ku përveç Zvicrës, janë edhe Suedia dhe Sllovenia.
Edhe pse renditet e 95-ta në listën e FIFA-s, Kosova vjen me formë të mirë, duke regjistruar tetë fitore dhe një humbje në nëntë ndeshjet e fundit, duke përfshirë suksesin në play-off ndaj Islandës që i solli promovimin në Ligën B.
Në stadium pritet një numër i madh tifozësh shqiptarë, ndërsa përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, deklaroi optimizëm dhe tha se skuadra nuk do të luajë vetëm për mbrojtje. Ndërkohë, trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, tha se tifozeria do të ndahet përgjysmë dhe lavdëroi Kosovën për formën e mirë.
Tri ditë pas ndeshjes me Zvicrën, Kosova do të presë Suedinë në stadiumin “Fadil Vokrri” për sfidën e dytë kualifikuese.