Kosova promovon harmoninë fetare dhe paqen - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Kosova promovon harmoninë fetare dhe paqen

    Insajderi
    31 May 2016 - 15:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm nuk mund të bëhet vetëm përmes arrestimeve dhe përmes vendosjes së sundimit të ligjit, por duhet të shtrihet edhe me promovimin e tolerancës, dialogut dhe të paqes.

    Kështu tha sot ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, në rastin e organizimit për të pestin vit radhazi një konferencë ndërkombëtare për promovimin e dialogut ndërfetar dhe qasjen ndaj ekstremizmit të dhunshëm.

    “Kosova, duke promovuar këtë agjendë të dialogut ndërmjet feve brenda Kosovës, dhe dialogut midis feve jashtë në tërë globin, e tregon se është e interesuar që të marrë pjesë aktive në debatin global se si është më së miri t’i qasemi luftës ndaj ekstremizmit, por edhe promovimit të një agjende të paqes dhe paqe bërjes”, tha Selimi për Radion Evropa e Lirë.

    Konferenca, që organizohet nga institucionet e Kosovës, do të trajtojë në veçanti çështjen e “rolit të gruas në ndërtimin e tolerancës ndërfetare”, dhe përveç përfaqësuesve të bashkësive fetare në Kosovë dhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, të pranishme do të jenë, në mënyrë aktive, edhe dy nobelistet e paqes, Shirin Ebadi nga Irani dhe Taëakkol Karman nga Jemeni.

    Ministri i jashtëm në detyrë, Petrit Selimi, tha se konferenca është një platformë për promovim të Kosovës si shtet dhe të prezantimit të saj si model i bashkëjetesës.

    “Tema e cila është ‘roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimit të ekstremizmit’ është një temë shumë adekuate. Nënat, bashkëshortet, gratë, siç ka thënë edhe presidenti Thaçi, janë aleatet më të mira të shtetit në luftimin e ekstremizmit”, tha Selimi.

    Çështja e ekstremizmit të dhunshëm ka ngritur shqetësime në Kosovë, marrë parasysh faktin se një numër i qytetarëve të vendit janë përfshirë në luftimet në Siri dhe Irak dhe një tjetër numër është arrestuar dhe dënuar për nxitje të pjesëmarrjes në luftëra jashtë vendit dhe për predikim të mosdurimit fetar. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark