×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Kosova rrezikon t`i humbë 39 milionë euro në Arbitrazh

Insajderi
06 December 2022 - 14:14
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Në tri raste të ndara, buxheti i shtetit mund të humbas shumën prej 39 milionë eurosh, pasi që për tri konteste është dërguar Kosova në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Në procedurë ende janë padia e Coutur Global, Mabco apo rasti i njohur si Grand Hotel dhe ajo e biznesmenit Blerim Devolli

Republika e Kosovës, është në proces të tri rasteve të mëdha të arbitrazhit. Rrezikon të humb nga buxheti një shumë të konsiderueshme të parave.

Në total 39 milionë euro mund të dalin nga thesari i shtetit, nëse Kosova nuk mund të fitoj rastet për të cilat është dërguar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Gazeta Insajderi, sjell detaje të kontesteve në të cilat është përfshirë shteti.

Coutur Global paditi Kosovën – Kërkon 20 milionë euro

Çështja e kontratës me Coutur Global për ndërtimin e termocentralin “Kosova e Re”, është bërë çështje problematike mes Kosovës dhe kësaj kompanie.

Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillojë së ndërtuari në vitin 2020, derisa pritej që të përfundonte dhe të vihet në punë në vitin 2023. Ndërtimi i tij do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Mirëpo, kontrata nuk u jetësua, e çështja u dërgua në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Në dhjetor të vitit 2020 Ministria e Ekonomisë e konfirmoi përballjen në gjykatë me kompaninë Contour Global.

Ajo doli me njoftimin se ka pranuar konfirmimin nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar, se kompania Coutur Global ka dorëzuar padinë lidhur me çështjen e termocentralit.

“Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet Mbyllja Financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori Coutur Global”, thuhej në njoftimin e ministrisë.

Coutur Global kërkoi kompensim dëmi në një vlerë marramendëse. Plotë 20 milionë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

Me dt .19.11.2020. Ministria e Drejtësisë, nga Tribunali i Arbitrazhit Ndërkombëtarë, ka pranuar padinë, ku Republika e Kosovës  është paditur nga Coutur Global, e cila në emër të kompensimit të dëmit kërkon një vlerë prej mbi 20 milion euro”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Insajderin.

Sipas kësaj ministria, Avokatura Shtetërore ka marr të gjitha veprimet procedurale të cilat janë të parapara në këtë faze.

Ka angzhuar edhe në këtë rast kompaninë amerikane Squere Patton Boggs.

Me të ka nënshkruar kontratë në vlerë 525 mijë euro.

“Komisioni i zgjedhur nga ish Ministri i Drejtësisë , ka përfunduar vlerësimin dhe negocimin për përfaqësim ligjor, ku është zgjedhur firma ligjore Squere Patton Boggs në vlerë 525,000 euro”, thuhet më tej në përgjigjen e ministrisë për Insajderin.  

Blerim Devolli kërkon kompensim 13 milionësh për mos-vazhdimin e kontratës të Telekomit

Në muajin mars të vitit 2020, biznesmeni Blerim Devolli e ka paditur shtetin në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtarë.

“Dardafon.net L.L.C” pronë e Devollit, ka paditur Qeverinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit ka paditur për rastin e mos-vazhdimit të kontratës në mes të Telekomit dhe kompanisë së tyre.

Kjo është rasti i dytë që ka shkuar në arbitrazh nga Devolli, i njëjti ka kërkuar dëmshpërblim nga shteti në shumën prej 13 milionë, shkruan Gazeta Insajderi.

Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media,  pati deklaruar se për këtë çështje janë zhvilluar dy procese.

“Kompania ka paditur edhe Telekomin, edhe Republikën e Kosovës pra kanë qenë dy raste, njëra ka qenë Telekomi me kompaninë, dhe tjetra është Republika e Kosovës me kompaninë që pritet të vazhdoj procesi”, thoshte Haxhiu.

Lidhur me këtë rast Gazeta Insajderi ka kërkuar informacione nga Ministria e Drejtësisë. Nga ky insitucion kanë thënë se për përfaqësim në proces kanë angazhuar kompaninë Squere Patton Boggs.

“Ministria e Drejtësisë-Avokatura Shtetërore, ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, ku në afat ligjorë ka ushtruar përgjigjen në padi e që në mungesë të kapaciteteve,  komisioni i zgjedhur nga ish Ministri i Drejtësisë , ka përfunduar vlerësimin dhe negocimin për përfaqësim ligjor,ku është zgjedhur firma ligjore Squere Patton Boggs në vlerë 575,000 euro”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Por, kjo nuk është rasti i parë që u dërgua në arbitrazh nga Devolli për kontratën me Telekomin. Padia e parë ishte dërguar në vitin 2015.

Çështje e kontestit të parë ishte marrëveshja e e lidhur mes “Dardafon” dhe Telekomit në janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”. Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.

Gjykata e Arbitrazhit në dhjetor të vitit 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie.

Sipas vendimit të saj, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Pas kësaj me Telekomin, u bë padia e dytë ndaj shtetit.

Mabco rasti Grand Hotel – Kërkon 6 milionë

Në korrik të viti 2017, kompania e Behgjet Pacollit “Mabco” me seli në Zvicër ushtroi padi ndaj shtetit të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, përkundër faktit që për Hotelin Grand, në vitin 2015, kishte vendosur në formë të prerë Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Të dyja kishin vendosur në favor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit e cila e kthej në pronësi të vet Grandin pas problemeve me blerësit.

“Mabco Sontructions”, kërkoi kompenzim nga Kosova në vlerën monetare 6 milionë euro.

Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar procedurat për përzgjedhjen e firmës ligjore ndërkombëtare, në këto procedura është përzgjedhur firma ligjore Wagner Arbitation Part MBB, Berlin.

Marrvëshja për përfaqësimin e qeverisë së Kosovës në këtë rast arbitrazhi vendimit i ka kushtuar  600 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.

“AVSH ju njofton se bashkëpunimi me firmën ligjore të përzgjedhur, ka një bashkëpunim shumë të mirë dhe efikas”.

“Sa i përket zhvillimit të procedurës në Arbitrazh, tani më veç ka filluar me mbajtjen e seancës në Tribunal me seli në Paris, me çka mbetet të vendoset për lidhur me qështjen meritore për këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Insajderin.

Lidhur me këto raste që ende nuk është marrë epilogu përfundimtra në Ministrinë e Drejtësisë thonë se sipas vlerësimit të tyre Kosova nuk do t`i humbas por do t`i fitoj këto konteste.

“Sa i përket vlerës së përgjithshme monetare për tërë këto raste, siç edhe keni pyetur, sipas vlerësimit tonë Kosova nuk do të humb në këto raste ashtu që nuk mund të deklarojmë se do të jetë kjo apo ajo shumë, për shkak se tani më janë në proces të shqyrtimit në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtar, si kundër që ne jemi duke shqyrtuar mundësinë e kundër padisë ndaj këtyre kompanive të cilat kanë dërguar Shtetin e Kosovës në Tribunalin e Arbitrazhit Ndërkombëtarë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Insajderin. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark