Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se duhet të ketë hetime të hetimet të cilat duhet të sjellin ndjekjen penale dhe ndëshkimin e trafikuesve, përfshirë zyrtarë që bashkëpunojnë me krimin.
“Shpresojmë që institucionet kosovare të marrin qëndrim për zero tolerancë ndaj zyrtarëve që ndihmojnë në trafikim”, ka thënë ambasadori Delawie.
Ai ka vënë në pah edhe dënimet të ulëta që kanë dhënë gjykatësit për trafikantët.
Por shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë së bashkërisht duhet të luftohet kjo dukuri.
“Duhet të sigurohemi që çdo viktimë të jetë një i mbijetuar i shëndoshë duke i ofruar ndihmë dhe asistencë institucionale. Por kjo nuk mund të arrihet pa një ndihmë nga të gjithë ne. Andaj kërkohet bashkëpunim dhe bashkërendim më të madh”, ka thënë ndër tjera ajo në konferencën “Dita e BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore”.
Kurse ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se është rritur përkushtimi dhe aktivitetet e përbashkëta institucionale për parandalimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, por kërkohet ende angazhim i shtuar kundër kësaj dukurie.
“Qëllimi ynë i përbashkët është veprimi dhe rezultatet pozitive kundër trafikimit. Duhet të jemi të gatshëm të marrim modele të suksesshme të luftës kundër trafikimit me qenie njerëzore, ashtu që të jemi sa më efektiv në punën tonë”, theksoi ministrja Hoxha.
Vendimi i ministres Hoxha për rishikimin e Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, është synim për fuqizimin e mëtejmë të legjislacionit të fushës penale dhe kundër të gjitha formave të trafikimit.
Kurse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë në këtë rast se “ky fenomen duhet të parandalohet përmes veprimeve dhe masave konkrete”.
Ai ka thënë se është momenti i duhur që të gjithë të bashkohemi, që të parandalojmë dhe luftojmë këtë krim, në të gjitha format e tij dhe njëkohësisht të bëjmë më shumë për mbrojtjen e viktimave të trafikuara.
“Republika e Kosovës nuk mund dhe nuk do të qëndrojë e heshtur në luftimin e trafikimit me njerëz. Trafikimi me njerëz është një çështje që na prek të gjithëve dhe në të njëjtën kohë rrezikon të ardhmen e të gjithëve”, ka shtuar presidenti./Insajderi.com