
Krizat e fundit institucionale kanë dëshmuar një karakteristikë të veçantë të sistemit tonë politik: në Kosovë, pa një rregull të shkruar dhe të saktë, proceset nuk ecin përpara. Çdo situatë që nuk është rregulluar qartë me ligj apo Kushtetutë, rrezikon të shndërrohet në krizë funksionimi.
Shkruan: Doruntinë Meha
Ngërçi aktual për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit është shembulli më i freskët. Kushtetuta parashikon që Kryetari të zgjidhet në seancën e parë, por mungesa e një afati të saktë ka lënë hapsirë për interpretime politike, duke shëndrruar Kuvendin në një fushëbetejë të vullneteve të papërgjegjshme dhe duke rrezikuar stabilitetin institucional.
Kjo situatë nuk është e izoluar vetëm në Kuvend. Në të gjithë administratën shtetërore dhe sistemin gjyqësor, mungesa e rregullave të qarta dhe zbrazëtirat juridike kanë krijuar pengesa serioze për qytetarët.
Një shembull tjetër është mungesa e një gjykate administrative të veçantë në Kosovë. Aktualisht, Departamenti për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore të Prishtinës është i vetmi që trajton konfliktet administrative për të gjithë territorin e Kosovës, duke e bërë të vështirë për qytetarët nga pjesë të ndryshme të vendit të kenë qasje të lehtë në drejtësi .
Në shumë demokraci të konsoliduara, funksionimi institucional mbështetet edhe në traditën politike, kulturën e përgjegjësisë dhe në respektimin e frymës së Kushtetutës. Por në Kosovë, për fat të keq, çdo boshllëk përdoret për të bllokuar proceset. Kjo tregon se, përveç forcimit të normave ligjore, është i domosdoshëm ndërtimi i një kulture politike që e respekton interesin publik mbi kalkulimet e momentit.
Në këtë kontekst, amandamentimi i Kushtetutës dhe përmirësimi i legjislacionit për procedurat parlamentare nuk është më një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri shtetformuese. E ardhmja e stabilitetit dhe funksionalitetit institucional në Kosovë varet nga gatishmëria jonë për të kuptuar këtë nevojë themelore: gjithçka që është e rëndësishme për shtetin, duhet të jetë e qartë dhe e detajuar në ligj.