Fëmijët e të gjitha shkollave të kryeqytetit kosovar, kanë shënuar sot 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve me aktivitete të ndryshme organizuar në sheshin e Prishtinës.
Por, kjo ditë e gjen Kosovën, pa ligj për mbrojtjen e fëmijëve, por me premtime se shumë shpejt Kuvendi i Kosovës do t’i miratoj ligjet që mbrojnë të vegjlit.
Megjithatë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në një seancë të veçantë që organizo për fëmijë, premtoi se shumë shpejt do të miratohen ligjet për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Veseli tha se deri më tani Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë dy ligje që në mënyra të ndryshme prekin edhe të drejtat e fëmijëve: Ligjin për familjen dhe Ligjin për shërbime sociale dhe familjare, por këto sipas tij , nuk janë miratuar akoma, janë në procedurë.
“Por kjo nuk mjafton. Ky ligj është në procedurë, por është i domosdoshëm garantimi i fondeve që mundësojnë zbatimin e plotë të këtij ligji.
Ne i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë këtë. Ju jap fjalën se do ta bëjmë. Do të ngrisim një komision për monitorimin e vazhdueshëm të zbatimit të këtij ligji dhe nevojat që dalin për përmirësimin apo plotësimin e tij”, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Më një fjalë rasti fëmijëve iu adresua edhe ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, i cili potencoi se po punohet që ëndrrat e nxënësve të bëhen realitet, nëpërmjet shkollave dhe universitete më të mira, si dhe duke siguruar mirëqenien e familjeve të tyre.
E Laila Omar Gad, shefe e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, tha se ky Ligj shumë shpejt do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës, shkruan albinfo.ch.
Gjatë kësaj seance të veçantë shumë fëmijë shfaqën edhe problemet me të cilat ballafaqohen shumica e fëmijëve në vendin tonë. Këta fëmijë nga shkolla të ndryshime të Kosovës, kërkuan që zëri i fëmijëve të dëgjohet dhe të drejtat e fëmijëve të respektohen.
E në anën tjetër, në sheshet e Prishtinës atmosfera ishte më ndryshe. Ndërsa për nder të kësaj dite një aktivitet është organizuar nga ideator dhe udhëheqës i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur” nga Xheladin Ujkani. /Insajderi.com