Po ashtu, janë ndërmarrë masat e nevojshme për të përcaktuar lirimet, kufizimet, bllokimet e plota apo të pjesshme të segmenteve të caktuara rrugore në kryeqendër, me qëllim të rregullimit të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të trafikut, në mënyrë që të krijohet rrjedhshmëri normale në trafik si dhe një ambient i qetë dhe i sigurt.
Policia e Kosovës për të evituar bllokadat në rrugë, kolonat e gjata të automjeteve, për të mundësuar një qarkullim në suaza të normales, do të veprojë në të gjitha rrugët të cilat lidhen me stadiumin “Fadil Vokrri”, duke formuar pikat e kontrollit me qëllim të ndalimit dhe udhëzimit të automjeteve, si dhe vendosjen e rregullit përgjatë atyre rrugëve.
Në këtë kontekst, policia do të ndërpres qarkullimin e të gjitha automjeteve në rrugët “Enver Zymberi” dhe “Rinia”.
Operacioni në fjalë do të fillojë të implementohet sot prej orës 10:00 deri në 23:00, andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, policia kërkon ndihmën, besimin dhe mirëkuptimin e gjithë qytetarëve dhe veçanërisht lusim qytetarët e kryeqytetit që të shmangin lëvizjet me vetura drejt stadiumit të qytetit.