Këshilli Prokurorial i Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të kabinetit qeveritar.
Nga KPK kanë thënë se Qeveria Kurti po tenton të godasë sistemin prokurorial në çdo mënyrë dhe në çdo rast.
KPK ka kërkuar nga kreu i shtetit dhe ministrat që të përmbahen nga deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese, ndaj sistemit prokurorial të Kosovës dhe prokurorëve.
“KPK-ja, thekson në mënyrë të qartë dhe të palëkundur se deklaratat dhe akuzat e tilla të pabaza dhe qasja e tillë e një pushteti tjetër, duke sulmuar dhe linçuar kryeprokurorët dhe prokurorët me emra dhe mbiemra, është shkelje e patolerueshme dhe tentativë e dështuar për të ndërhyrë në punën e pavarur të Prokurorit të Shtetit”, thuhet në reagim.
Tutje, KPK i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që të qëndrojë larg deklaratave të tilla, tentativave për ndërhyrje dhe presione të drejtpërdrejta.
“Prandaj, KPK-ja dënon keqpërdorimin e fjalës së lirë nga ana e Kryeministrit dhe ministrave të tij, duke theksuar se këto deklarata janë krejt të kota ndaj Prokurorit të Shtetit, i cili nuk ndikohet nga qarqet politike dhe grupet e interesit, por si institucion i pavarur dhe i paanshëm në ushtrimin e mandatit të vet do t’i shkojë deri në fund çdo rasti me dyshim për keqpërdorim të parasë publike dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës, pavarësisht kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë”, thuhet në reagim.