×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    KPK s’dorëhiqet përkundër sulmeve të pushtetit, i kërkon presidentes ta dekretojë Blerim Isufajn

    Insajderi
    04 May 2023 - 16:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë se ende nuk ka pranuar kurrfarë informacioni mbi çështjen e dekretimit të Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit. KPK kanë mbetur pa përgjigje katër ditë pasi presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pritej të merrte vendim për çështjen e kryeprokurorit.

    “Ju njoftojmë se edhe pse kanë kaluar më shumë se tri ditë që nga periudha kohore kur Presidenca paralajmëroi se Presidentja e vendit do të dalë me një vendim për Kryeprokurorin e Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ende nuk ka informacion lidhur me dekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, z.Blerim Isufaj”, thuhet në përgjigjen e KPK-së dhënë Gazetës Insajderi.

    KPK ka kërkuar sërish dekretimin e Isufajt për kryeprokuror dhe kanë thënë se janë në pritje të vendimit të presidentes.

    “Prandaj, në këtë kontekst, KPK-ja, siç jeni në dijeni, pas letrave të shkëmbyera me Zyrën e Presidentes të Republikës së Kosovës lidhur me dekretimin e z.Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, është në pritje që Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si garantuese e funksionimit të institucioneve të vendit, të bëjë dekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit, në mënyrë që të ketë funksionalitet të plotë dhe të sigurohet zbatimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, vijon përgjigja e KPK-së për Insajderin.

    “Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka theksuar në vazhdimësi dhe vazhdon të kërkojë që Presidentja Osmani të bëjë dekretimin i Kryeprokurorit të Shtetit, sepse ky dekretim është esencial për sundimin e ligjit në vend”, përfundon KPK’ja.

    Insistimi i KPK-së vjen në kohën kur pushteti po e kundërshton fuqishëm dekretimin e Isufajt. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës tha se Isufaj nuk e ka bekimin e tij, as të presidentes e as të kryetarit të Kuvendit.

    “Prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë, edhe popull”, deklaroi Kurti.

    Nga kabineti i Osmanit, përpara një muaji, u zotuan se çështja e Kryeprokurorit do të marrë epilog në fund të muajit prill.

    “Afatet për një kontestim të tillë përfundojnë në fund të muajit prill, prandaj Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati, sepse e kundërta do të ishte ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, deklaroi Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar dje Zyrën e Presidencës lidhur me respektimin e afatit të përcaktuar kohor nga vetë presidentja, mirëpo nuk ka marrë ende përgjigje për këtë.

    Mediumi ka kontaktuar edhe dy kundër-kandidatët e Isufajt, që kishin apeluar më herët ankesë në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e kryeprokurorit.

    Shqipdon Fazliu nuk u deklarua kur u pyet nëse ka ende ndonjë kontest të hapur gjyqësor lidhur me procesin e kryeprokurorit.

    “S’kam koment”, deklaroi ai.

    Ndërkaq, Armend Hamiti nuk është përgjigjur në pyetjen e njëjtë, por shkurtimisht ka thënë për Gazetën Insajderi se nuk është kontaktuar nga institucionet qëndrore për çështjen e kryeprokurorit.

    “Nuk kam pasë kurrfarë njoftimi”, deklaroi Hamiti.

    Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit. /Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark