×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    KPM prezanton rrjedhën e licencimit dhe ndërrimit të pronësisë së Klan Kosova dhe Artmotion

    Insajderi
    04 July 2023 - 20:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka vazhduar raportimin para Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, duke prezantuar rrjedhjen e licencimit dhe ndërrimit të pronësisë së Klan Kosova dhe Artmotion.

    Ndryshe, KPM në mbledhjen e 27 qershorit 2023 kishte prezantuar raportin vjetor për vitin 2022.

    Mirëpo, ishte vendosur që raportimi të vazhdonte edhe në këtë mbledhje, me theks të veçantë për çështjen Klan Kosova edhe Artmotion.

    Prezantimin për këtë rast e ka bërë kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, ai bëri të ditur se Klan Kosova ishte licencuar nga KPM me datën 18 shkurt 2009, si ofrues i Shërbimeve Mediale Audiovizuele me transmetim përmes operatorëve të shpërndarjes, për një afat prej dhjetë viteve.

    Sipas tij, licenca e OSHMA Klan Kosova ishte lëshuar në emër të biznesit Klan Kosova Sh.p.k. me pronarë Aleksander Frangaj.

    Tutje, ai tha se licenca e Klan Kosova ishte ripërtërirë nga KPM me vendimin e datës 22 shkurt 2019, dhe kërkesa për ndryshimin e pronësisë ishte dorëzuar me datën 19 tetor 2020, ndërsa ishte plotësuar me datën 18 nëntor 2020.

    Sipas Mehmetit përmes kërkesës për ndryshim të pronësisë, Aleksandër Frangaj, pronari i Klan Kosova, kishte kërkuar miratim nga KPM për ndryshim të pronësisë së Klan Kosova Sh.p.k. me seli ne Prishtinë, nga ai si pronarë tek biznesi KGO Media Investments Dooel, me seli në Shkup, Maqedonia e Veriut, me pronarë Kushtrim Gojani, ndërsa me drejtor Adriatik Kelmendi.

    Sipas të njëjtës kërkesë Mehmeti tha se Frangaj kishte thënë se ndryshimet në pronësinë dhe drejtorin e Klan Kosova Sh.p.k. ishin bërë në ARBK në muajin Prill të vitit 2020 dhe se pronarë i Klan Kosova Sh.p.k. ishte biznesi KGO Media Investments Dooel me pronar Kushtrim Gojani, sipas këtyre ndryshimeve.

    Ndërkaq, Mehmeti tha se në deklaratën e Gojanit thuhej se ndryshimi i pronësisë së Klan Kosova Sh.p.k. ishte bërë në ARBK, nga “Seine Group Ltd në KGO Media Investments Doodl” me pronar Kushtrim Gojani.

    Ndryshe, me 16 qershor 2023, Komisioni i Pavarur i Mediave i ka dhënë Klan Kosovës një afat prej 30 ditësh që të plotësoj dokumentacionin e nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit.

    Kurse, sa i përket kompanisë Artmotion, Mehmeti bëri të ditur se kjo kompani ishte licencuar nga KPM me datën 30 tetor 2013, si operator i shpërndarjes së shërbimeve mediale audio për një afat prej dhjetë viteve, ku licenca ishte lëshuar në emër të biznesit N.P.SH. Artmotion me seli në Prishtinë me pronarë Muharrem Hajredini.

    Sipas të njëjtit me datën 25 shtator 2017, KPM ka pranuar një kërkesë për ndryshimin e pronësisë së operatorit të shpërndarjes Artmotion nga Muharrme Hajedini tek Valon Shala në kuadër të biznesit “Artmotion” Sh.p.k.

    Mehmeti tha se në certifikatën e biznesit të Artmotion Sh.p.k. si pronarë figuron personi juridik “AM Invest Group” me person të autorizuar Valon Shala, ndërsa në kërkesë si kandidat për pronar të Artmotion Sh.p.k. figuron po ashtu Valon Shala.

    Ndër të tjera Mehmeti tha se në kanalet tjera të licencuara të operatorit të shpërndarjes Artmotion, figuron certifikata e Artmotion Sh.p.k, me seli ne Prishtinë dhe me pronarë personin juridik AM Invest Group Sh.p.k. po ashtu me seli në Prishtinë.

    Sipas të njëjtit pronar i AM Invest Group Sh.p.k. figuron AM Invest Group Holding Dool me seli në Shkup, Maqedonia e Veriut.

    Ndryshe, më 14 qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka iniciuar kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Aty thuhej se MINT, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër.

    Pas kësaj, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), në mbledhjen e mbajtur më 16 qershor 2023, ka njoftuar se zyra ligjore e KPM-së, ka dhënë një rekomandim me dy dispozita, lidhur çështjen e pezullimit të certifikatës së licencës së Klan Kosovës. Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së, tha se Klan Kosova, në afat prej 30 ditësh duhet të bëjë plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për mbajtjen e licencës së transmetimit, konfrom rregullores për ofruesit e shërbimeve mediale.

    Kurse, më 16 qershor 2023, Organizatat anëtare të Rrjetit për të Drejtat e Njeriut (HRN): Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS), Shoqata e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës HANDIKOS, Qendra për Barazi dhe Liri – CEL Kosova, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), Iniciativa e Re Sociale (NSI) dhe Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve (VORAE), kanë shprehur shqetësimin lidhur me vendimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), për pezullimin e licencës së biznesit për Klan Kosovën.

    Sipas organizatave anëtare të HRN-së, vendimi i MINT është shkelje e drejtpërdrejtë e lirisë së shprehjes dhe medias, si dhe ngjan në një përpjekje për të kontrolluar mediat dhe kufizuar lirinë e fjalës.

    Më 19 qershor 2023, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka dhënë sqarime shtesë lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, duke thënë se përpjekja që një çështje biznesi, të përshkruhet si sulm ndaj lirisë së shtypit, është e paarsyeshme dhe e paqëndrueshme.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark