Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka kritikuar sot kryeministrin Isa Mustafa, pasi që sipas tij, ai nuk ka përmendur askund luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një fjalim për nderë të tetë vjetorit të shtetësisë.
“Natyrisht, njeriu që ka udhëhequr Fondin e tre përqindëshit dhe që e ka sabotuar financiarisht luftën, ai edhe pas 17 viteve nuk ia njeh veprën madhore te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës– Çlirimin e Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.
Për më tepër, Krasniqi ka thënë se “duhet të jesh i verbër, madje dhe i pa mend që ta përmendesh NATO-n, e cila kurrën e kurrës nuk do të ndërhynte pa luftën e lavdishme të UÇK-së”.
Kryeministri Mustafa mbrëmë ka bërë një postim të gjatë në Facebook rreth krizës aktuale në vend. Por, fillimi i deklaratës së tij i kushtohet tetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit.
Përveç që përmendet se në luftë janë vrarë mijëra persona, ai nuk ka përmendur rolin e UÇK-së.
“Janë 16 vite nga ndërhyrja e NATO-s dhe tetë vite nga shpallja e pavarësisë,” ka shkruar ai.
Tutje, ai ka thënë se “vlerësojmë ushtarët dhe paqeruajtësit ndërkombëtar të cilët u flijuan për këtë vend.”
“Ky vend nuk u çlirua lehtë, janë gjenerata të tëra që u flijuan për idenë e pavarësisë, janë rreth 15 mijë të vrarë në luftën e fundit, llogaritet të jenë rreth 20 mijë gra të dhunuara dhe të ekspozuara sjelljeve shtazarake të forcave ushtarake e paramilitare serbe; sot e kësaj dite janë edhe rreth 1600 të pagjetur. Vlerësojmë ushtarët dhe paqeruajtësit ndërkombëtar, të cilët u flijuan për këtë vend”./Insajderi