Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka njoftuar se sot ka pritur në takim drejtorët komunalë të arsimit nga radhët e PDK-së nëpër komunat e Kosovës.
Ai tha se me ta diskutoi për “skandalin e fundit” të Qeverisë Kurti, rreth mos-furnizimit të nxënësve me tekste shkollore.
“Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kam pritur Drejtorët e Departamenteve të Arsimit nga radhët e PDK-së, nëpër komunat ku qeverisim apo bashkëqeverisim. Bashkë diskutuam dhe ngritëm shqetësimin e thellë për skandalin e fundit të Qeverisë Kurti, në lidhje me mos-furnizimin e nxënësve me tekste shkollore”, shkroi ai në Facebook.
Sipas tij, “paaftësia dhe shkeljet ligjore të kësaj Qeverie, për të dytin vit me radhë në arsim, vetëm dhjetë ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, po dëmtojnë shumë nxënësit dhe familjet, duke u shkaktuar vështirësi të reja, por edhe shpenzime të mëdha për familjet kosovare”.
“Pabarazia, e cila po u ofrohet si zgjidhje familjeve kosovare, ka qenë e tejkaluar që para 15 viteve nga vendimet e PDK-së, me dhënien e librave falas për çdo nxënës. Barrën e paaftësisë qeverisëse, padrejtësisht dhe me fajin e pushtetarëve, do ta vuajnë vetëm qytetarët e vendit tonë”, tha Krasniqi.