Drejtori i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, thotë se policia gjatë këtij viti ka punuar intensivisht në luftimin e krimit të organizuar në rajonin e Prizrenit.
Sipas tij, siguria në këtë rajon është në nivel të lartë.
Krasniqi tregon se gjatë tetë muajve të këtij viti, policia ka punuar në luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.
“Deri më tash kemi arrestuar 21 persona, që janë marrë me trafikim të qenieve njerëzore”, tha Krasniqi, shkruan ‘PrizrenPress’.
Ai tregon se policia është duke punuar në identifikimin e personave të tjerë që merren me këtë “zanat”.
Drejtori Krasniqi tha po ashtu se, gjatë kësaj periudhe kohore, policia ka punuar edhe në luftimin e trafikimit të drogës.
“Është e vërtetë që ka drogë, por policia është duke punuar në luftimin e kësaj dukurie dhe ka arrestuar 32 persona”, tha Krasniqi.